spot_img
E shtunë, 7 Mars, 2026
17:37
HomeKosovaReuters: Kosova rrit sigurinë pas shpërthimit që kërcënoi furnizimin me energji elektrike

Reuters: Kosova rrit sigurinë pas shpërthimit që kërcënoi furnizimin me energji elektrike

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Agjencia e njohur e lajmeve “Reuters” ka raportuar për sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok, që ndodhi mbrëmë.

Raportimin e ka filluar me përpjekjet për të siguruar furnizimin me ujë dhe energji elektrike, që u rrezikuan pas këtij sulmi, si dhe rritjen e sigurisë.

- Advertisement -

Sulmi është cilësuar si akt terrorist, e për këtë autoritetet kanë drejtuar gishtin kah Serbia.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, ka mohuar përfshirjen e Beogradit në këtë sulm, duke i cilësuar si “akuza të pabaza”, madje ka akuzuar Kryeministrin Albin Kurti për përfshirje, pa asnjë provë.

- Advertisement -

Janë përmendur edhe masat shtesë që janë marrë nga Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës, për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj.

Damaged canal in northern Kosovo supplying water to two coal-fired power plants, in Varage

Për Reuters ka folur edh eish-Drejtori i KEK, Arben Gjukaj, i cili ka thënë se ndërprerja e ujit në atë lokacion do të ndikojë edhe në prodhimin e energjisë.

“Ata që e bënë këtë sulm nuk janë thjesht kriminelë të zakonshëm, kjo bëhet nga një strukturë e mirëorganizuar që e di shumë mirë se ndërprerja e ujit në atë lokacion do të ndikojë gjithashtu në prodhimin e energjisë,” ka deklaruar Gjukaj, duke shtuar “Situata është shumë kritike”.

Kryeministri Albin Kurti iu drejtua qytetarëve përmes një konference për media në orët e vona.

Për këtë sulm, ai drejtoi gishtin nga Serbia.

“Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në Kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda, kriminale, terroriste e dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”, deklaroi Kurti.

Ai përmendi sulmet e fundit me granata dore në stacionin policor në Zveçan dhe hedhjen e mjetit shpërthyes afër Komunës së Zveçanit.

Kurti tha se një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga ky shpërthim dhe se furnizimi me ujë është ndërprerë përkohësisht.

“Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi, dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, shtoi Kurti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi udhëzimet e njoftimet nga institucionet e Republikës së Kosovës

“Për bindjen tonë të fuqishme nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë dhe fajësinë, për organizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi përveçse Beogradit zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat me në krye Millan Radojçiqin, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ai u ndalua për t’u liruar dhe tash është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare e kriminale atje, kriminelët e paqes e kriminelët e luftës që e urrejnë Republikën tonë dhe popullin tonë mbarë”, tha Kurti.

Ai falënderoi partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen ndaj vendit, teksa paralajmëroi takim me Komandantin e KFOR’it dhe mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

“Le të jemi bashkë me institucionet e shtetit, me policinë tonë, me organet tona zyrtare të cilat do të na njoftojnë në kohë reale për gjithçka. Këta kriminelë e terroristë nuk do të na mposhtin neve kurrë, sepse fuqia e ligjit të drejtë në Republikën demokratike të Kosovës do të ngadhënjejë sërish”, tha Kurti.

Për shpërthimin, reagoi edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo tha se partnerët ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu “për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”.

“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, shkroi Osmani.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat