Agjencia evropiane e lajmeve Reuters i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve të fundit politike dhe elektorale në Kosovë, duke i përshkruar ato si një “tërmet politik” të nxitur nga fitorja e kryeministrit Albin Kurti.
Sipas Reuters, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, në bazë të rezultateve preliminare, ka dalë forcë e parë me mbi 49% të votave, çka e vendos atë në një pozitë të favorshme për ta formuar qeverinë me vetëm disa partnerë të vegjël koalicioni.
Në analizën e saj, Reuters thekson se ky rezultat i jep fund një ngërçi politik që e ka paralizuar funksionimin institucional për pjesën më të madhe të vitit 2025, pas pamundësisë për shumicë stabile dhe për formim koalicioni. Po ashtu, Reuters vë në pah se një Kuvend funksional mund të hapë rrugë edhe për zhbllokimin e fondeve ndërkombëtare dhe ratifikimin e marrëveshjeve të rëndësishme me partnerët.
Reuters rikujton se, përtej agjendës së brendshme dhe reformave, Kurti përballet edhe me sfida madhore në planin e jashtëm – veçanërisht marrëdhëniet me Serbinë dhe raportet me aleatët ndërkombëtarë – ndërsa pritet që mandati i ri të ndikojë në drejtimin politik të vendit për vitet në vijim.



