Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur, përmes rrjeteve sociale, se sahati i Gjirokastrës tashmë është funksional.
Sahati, një simbol i kalasë dhe qytetit, prej kohësh qëndronte në heshtje, herë në gjendje pune dhe herë jo. Tashmë mekanizmi i tij është sërish në jetë, si dhe u vendos në këmbanore, falë punës së Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër.
Sahati i Gjirokastrës është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX.
Ministri Gonxhja thotë në postimin e tij, se ky sahat ka qenë dëshmitar i historisë së Gjirokastrës, duke shënuar jo vetëm orët, por edhe ngjarjet e saj më të rëndësishme.
Rikthimi në jetë i këtij objekti simbolik shënon një hap të madh në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe i jep vizitorëve një arsye më shumë për të përjetuar magjinë e kalasë dhe horizontin unik të Gjirokastrës. /atsh