Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi sot kandidatët e “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, në qytetin e Sarandës.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se, një vend pa rini, është një vend pa ëndrra, pa të ardhme, është një shkretëtirë njerëzore.
“Saranda, a mund të jetë madhështore pa rininë e vet? Një vend pa rini, është një vend pa ëndërr. Një vend pa rini, të ardhme nuk ka. Është një shkretëtirë njerëzore, nëse mund ta quajmë kështu”, tha Berisha.
“Po në qoftë se ka një vend që humbi rininë në mënyrën më të pamëshirë, sa asnjë vend tjetër është Shqipëria e këtyre 12 viteve. A e dini ju që, OKB-ja njoftoi tre ditë më parë se Shqipëria do ketë lindshmërinë më të ulët në botë. Pse? Për shkak të largimit të të rinjve”, tha Berisha.
Ai i cilësoi këto si “klithma që dalin nga shpirti i kombit, nga thellësitë e dheut të këtij vendi”.
“Ne duhet të bëjmë të pamundurën që fëmijët tanë, nipërit e mbesat tona, të rinjtë tanë, të ndërtojnë në Sarandë dhe në Shqipëri ëndrrën e tyre”, theksoi kreu i PD.
“Askush në Shqipëri nuk është i varfër se është dembel. Varfërinë e sjell politika e mbrapshtë, e sjell vjedhja e qytetarëve. Ndaj dhe ne, do bëjmë gjithçka që çdo i ri të shkollohet. Hiqet mesatarja komplet, nuk ka mesatare më. Hiqen tarifat, simbolike do jenë, ose do hiqen fare”, tha Berisha.
Berisha premtoi bursa 200 euro për studentët.
“Punësimi i një të riu, çdo sipërmarrësi do t’i paguhen sigurimet shoqërore për 1 vit për të riun. Do t’i paguhet çdo shpenzim që i duhet për trajnimin e tij profesional. Çdo i ri që martohet dhe do të ndërtojë folenë e tij në Shqipëri, familjare, do të ketë një grant prej 30 mijë eurosh”, tha ai.
“Do bëjmë gjithçka që të sjellim kombin në moshën e rinisë. Fëmija i 3-të do paguhet nga shteti nga lindja, gjer në 23 vjeç. Fëmija i parë do ketë një bonus prej 70 euro, fëmija e dytë do ketë një bonus 60 euro”, theksoi Berisha.
“Do bëjmë gjithçka që ata qindra e mijëra të rinj, vetëm në 10 vitet e fundit janë larguar mbi 700 mijë, të kthehen prapë në Shqipëri, të kthehen prapë në Sarandë. Do bëjmë gjithçka për strehimin e tyre. Do financojmë bizneset e tyre. 5 vite do jenë pa taksa. Edhe njëherë, kombi duhet të rikthehet në rininë e vet. Një komb pa rini, është një komb pa të ardhme dhe ne, nuk mund të jemi një komb i tillë”, shtoi Berisha.