Qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë një seri ndryshimesh në nivelet e larta të administratës shtetërore, vendime që u miratuan në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në kuadër të këtij rotacioni, janë bërë lëvizje në poste zëvendësministrash në Ministrinë e Jashtme, atë të Drejtësisë, të Infrastrukturës, të Bujqësisë dhe Arsimit.
Kush ikën dhe kush vjen
Vilma Premti është emëruar zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke zëvendësuar Silda Çepen, e cila është liruar nga detyra. Ky ndryshim vjen në një moment të rëndësishëm për diplomacinë shqiptare, në kontekstin e marrëdhënieve me BE-në dhe integrimit evropian.
Në Ministrinë e Drejtësisë, vendin e Klajd Karametës do ta marrë Elona Hoxha, e cila vjen në këtë rol në një periudhë ku drejtësia mbetet një nga kolonat kryesore të reformës institucionale në vend.
Besjan Kadiu është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një kohë kur sektori po kalon nëpër investime strategjike dhe transformime të rëndësishme në energjinë e rinovueshme dhe transport.
Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri është emëruar zëvendësministër, duke marrë përsipër sfidat e zhvillimit rural dhe rritjes së qëndrueshme të sektorit bujqësor.
Ndërkohë, është liruar nga detyra Ana Kapaj, që mbante postin e zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit. Nuk është emëruar ende një zëvendësues për këtë post.