spot_img
E premte, 21 Nëntor, 2025
07:14
HomeEkonomiRreth 613.4 milionë euro u bllokuan nga masat ndëshkuese të BE-së ndaj...

Rreth 613.4 milionë euro u bllokuan nga masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Instituti GAP ka publikuar raportin që pasqyron nikimin financiar të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Sipas këtij raporti, masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyera për një afat të pacaktuar.

- Advertisement -

Brenda kësaj shume, për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.

“Puna e organeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ishte ndërprerë deri në maj të vitit 2025, fondet për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) janë pezulluar, dhe propozimet e Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) nuk janë duke u shqyrtuar nga Bordi i WBIF. Për më tepër, Kosova nuk është përfshirë në ngjarje të nivelit të lartë, përveç atyre që lidhen me situatën në veri dhe integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Për heqjen e këtyre masave nevojitet një konsensus i plotë i vendeve anëtare të BE-së, ku deri më tani nuk është marr ndonjë vendim i tillë”, thuhet në raportin e GAP.

- Advertisement -

Sipas GAP-it, sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro.

“Nga gjithsej mjetet e ndikuara nga masat, rreth 218 milionë euro janë projekte në kuadër të IPA (IPA II dhe IPA III) dhe rreth 395.5 milionë euro janë projekte në kuadër të WBIF. Realizimi i këtyre projekteve ishte parashikuar të financohej përmes granteve dhe kredive, me një kontribut prej rreth 421 milionë euro nga Bashkimi Evropian, afërsisht 162 milionë euro nga palët e treta sikurse institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe vetëfinancim në vlerën prej 31 milionë euro”, thekon GAP.

Këto vonesa, sipas GAP-it, në fillimin e zbatimit të projekteve nënkuptojnë shtyrje ose humbje të mundësive për rritje, zhvillim dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, si dhe ndikojnë negativisht perspektivën për integrim evropian.

“Qëllimi i këtij raporti të shkurtër është të ofrojë një pasqyrë të mbështetjes financiare që Kosova ka marrë nga BE dhe të analizojë ndikimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës duke evidentuar humbjet dhe pasojat zhvillimore që kanë rezultuar nga pezullimi i projekteve dhe fondeve të BE-së”.

Nga qershori i vitit 2023, Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe në mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat