spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
03:29
HomeKosovaQeveriaRritja e Pensioneve: Vendimi elektoral i Qeverisë Kurti para zgjedhjeve?

Rritja e Pensioneve: Vendimi elektoral i Qeverisë Kurti para zgjedhjeve?

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Storm/Sociale: Në prag të fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve të ardhshme, edhe qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, ashtu si qeveritë paraprake, po ndërmerr vendime me natyrë elektorale. Një nga këto vendime është rritja e pensioneve që i paguan shteti. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur të rrisë për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti.

Kjo rritje do të hyjë në fuqi që nga ky muaj, siç u theksua nga Kryeministri gjatë një konference për media.

- Advertisement -

Ai bëri të ditur se pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës do të rriten për 20 për qind duke filluar nga muaji janar 2025.

Ky ligj përfshin familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimat e dhunës seksuale të luftës, viktimat civile dhe familjarët e tyre.

- Advertisement -

Kryeministri Kurti sqaroi se, para se të rriten këto pensione, është i nevojshëm “ndryshimi në tabela, që është pjesë e ligjit si shtojcë.”

Pensionet që do të rriten nga tetori përfshijnë: pensionin bazik të moshës, pensionin kontributpagues të plotë dhe parcial, pensionin për aftësi të kufizuar për fëmijë dhe të rritur, pensionin për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensionin e parakohshëm për punëtorët e Trepçës.

Sipas ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati, mbi 300,000 pensionistë do të përfitojnë nga kjo rritje.

Ai deklaroi se buxheti i përgjithshëm i skemave pensionale arrin në rreth 500 milionë euro për vitin fiskal, ndërsa do të ndahen edhe 100 milionë euro shtesë vjetore pas kësaj rritjeje.

Pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë do të rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë në 237 euro, për atë të tretë në 256 euro dhe për atë të katërt në 318 euro.

Deri tani, pensionet në Kosovë varionin nga 100 deri në 265 euro.

Rritja e fundit, e cila e çoi pensionin bazik në 100 euro, u bë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike të miratuar nga Qeveria e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19.

Në fund të shtatorit, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ia dorëzoi kryesisë së Kuvendit të Kosovës një peticion që kërkonte ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale që financohen nga shteti.

Në vitin 2022, sindikalistët madje organizuan protesta për të kërkuar ndryshimin e një neni të këtij ligji, që kërkon që përfituesit të kenë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

Megjithatë, as Kryeministri Kurti dhe as ministri Murati nuk e përmendën këtë çështje gjatë konferencës së fundit për shtyp.

Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti zbatohet që nga viti 2014.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat