Avokati i ish-Presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq tha se dëshmitari James Rubin ishte ndihmës-sekretar i shtetit amerikan për çështje publike dhe zëdhënës kryesor që ka raportuar drejtpërdrejt përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright.
Ai tha se për procesin në Kosovë dhe marrëveshjen e Rambujesë, Rubin ishte udhëzuar nga Albright, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nga viti 1997 deri në vitin 2000, James Rubin ka shërbyer si ndhmëssekretar i shtetit për çështje publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejti përpara sekretares së shtetit, Madeliene Albright. Kur grupi i kontaktit vendosi të mblidhej për një proces paqeje në janar të 1999-ës, Rubin është udhëzuar drejtpërsëdrejti nga Albright për t’u angazhuar me delegacionin shqiptar të Kosovës gjatë konferencës së Rambujesë në Kosovë dhe më pas u bashkua negociatave si i dërguari i posaçëm në emër të sekretares së shtetit për të siguruar demobilizimin e UÇK-së”, tha Mishetiq.
Përveç kësaj, Mishetiq tha se James Rubin ka pasur takime edhe me Thaçin e po ashtu edhe me anëtarë të tjerë të UÇK-së.
“Ka pasur takime të shumta me Hashim Thaçin dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së. Kjo e lejoi zotin Rubin që të kuptonte se Thaçi ishte i shqetësuar që nuk do të kishte autoritetin ose lejen e plotë për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë në emër të UÇK-së pa miratimin e anës ushtarake të UÇK-së”, tha avokati Mishetiq.
Ai tha se Rubin vërejti që roli i Thaçit ishte i kufizuar gjatë procesit të demilitarizimit të UÇK-së. Përveç kësaj, avokati tha se Rubin ka treguar se dëshira e Thaçit ishte një Kosovë të qetë dhe multietnike.
James Rubin tha se kontruboi në krijimin e TPJN-së. Ndërkaq, për Albright ai tha se ka qenë një avokuese shumë e fuqishme për krijimin e atij tribunali.
Në prova materiale u pranua dëshmia e dëshmitarit e dhënë më herët, për të cilën tha se pasqyron të vertetën dhe do t’i thoshte të njëjtat gjëra në rast që do të pyetej sërish për ato.
Nërkohë, James Rubin deklaroi në Hagë se kur kanë shkuar për t’u takuar në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçin nuk e ka njohur, por që ia kishte kërkuar Madeleine Albright që të njihet dhe të rrinte me atë.
Rubin tha se gjatë takimeve në Rambuje, Thaçi e kishte njohur për shkak se kishte dalë shpesh në televizion.
“Albright e vërejti këtë gjë që ai më njohu. Ajo ishte e zonja për marrëdhënie njerëzore dhe më tha që njihu me të, bisedo me të se ne nuk njiheshim”, tha James Rubin, duke shtuar se u përpoq që të rrinte me Thaçin, pinin ndonjë cigare, dilnin jashtë, e të tjera.
James tha se nuk e di se pse u zgjodh Thaçi kryesues i delegacionit të shqiptarëve në Rambuje, por thjesht e dinte se ai është zgjedhur.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një kabllogram i një takimi që Albright e ka bërë me delegacionin e Kosovës më 14 shkurt 1999. Tha se ata nuk i njihnin shqiptarët e Kosovës as ai as Albright, veçanërisht anëtarët e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Rubin tha se kur kuptoi se udhëheqësi i delegacionit ishte nga UÇK-ja, Albright duhej t’i motivonte për paqe përkundër që Ibrahim Rugova thoshte se duhej luftë paqësore.
“Ne e inkurajonim atë që ta shihte këtë konferencë të paqes si mundësi për të transformuar një grup të vogël njerëzish që kishin arritur në pikën që po përdornin dhunë apo mjete ushtarake për të arritur objektiva. Ne tentonim t’i bindim që të mos bënin një gjë të tillë. Ajo donte që të bënte të kuptonin që paqja fitohet kështu”, tha James Rubin.
James Rubin tha se hera e fundit kur e ka takuar Thaçin beson që ka qenë rreth vitit 2019 kur ai ishte president i Kosovës.
Rubin tha se kanë pasur bashkëpunime me Thaçin lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe janë munduar që të sjellin paqe dhe njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve.