Rusia i është përgjigjur kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump.
Ky i fundit madje siç raporton Financial Times, e kishte pyetur privatisht Volodymyr Zelenskyn nëse Ukraina mund të sulmonte Moskën nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi .
Mediumi, duke cituar dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelenskyy, tha se presidenti amerikan sinjalizoi mbështetjen e tij për idenë e rritjes së sulmeve të Ukrainës ndaj Rusisë.
“Volodymir, a mund ta godasësh Moskën? A mund ta godasësh edhe Shën Petersburgun?”, pyeti Trump gjatë telefonatës.
Zelenskyy u përgjigj: “Absolutisht. Mundemi nëse na jepni armët”.
Biseda u zhvillua më 4 korrik dhe erdhi një ditë pas telefonatës së Trump me Putinin, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si “të keqe”.
Nga Moska e kanë konsideruar serioze dhe që kërkon analiza të mëtejshme edhe kërcënimin tjetër për vendosjen e tarifave prej 100%.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Vladimir Putin do të komentojë mbi propozimet vetëm nëse e konsideron të nevojshme ta bëjë këtë.
Lidhur me dërgesat e reja të armëve në Kiev, Peskov tha se: “Vendimet që po merren në Uashington, në vendet e NATO-s dhe drejtpërdrejt në Bruksel, perceptohen nga pala ukrainase jo si një sinjal për paqe, por si një sinjal për të vazhduar luftën”.
Ai përsëriti gjithashtu se Rusia ishte e gatshme të vazhdonte negociatat e drejtpërdrejta me Ukrainën dhe ende po priste një sinjal nga Kievi se kur mund të zhvillohej rundi i ardhshëm i bisedimeve të paqes.
Edhe zëvendësministri i jashtëm rus Sergei Ryabkov ka thënë se Moska është gati të negociojë.
Megjithatë, Ryabkov ka thënë gjithashtu se Rusia nuk i pranon ultimatumet.