Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u prit në Shkup me nderime të larta shtetërore nga presidentja e Maqedonia e Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Në konferencën e përbashkët për media me Siljanovska-Davkovën, Rutte tha se KFOR vazhdon të luajë rol të rëndësishëm për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të luajë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij. Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, dhe për këtë ju falënderoj”, tha sekretari i NATO-s.
I pyetur nëse NATO do të intervenojë në konfliktet në Lindjen e Mesme, Rutte tha se NATO nuk është e përfshirë në ngjarjet atje, por do të angazhohet për mbrojtje të plotë nëse ndonjë vend anëtar sulmohet nga Irani.
“E dimë që Irani është eksportues i kaosit dhe përgjegjës për dekada për sulme terroriste dhe tentativa atentatesh. Nga përvoja ime personale dhe nga vendi im, ku ekziston diaspora iraniane e rrezikuar nga regjimi iranian, mund t’ju siguroj se NATO nuk është e përfshirë në konflikte, por do të mbrojë çdo pjesë të territorit të anëtarëve të NATO-s. Komandantët tanë ushtarakë punojnë çdo ditë për këtë dhe kanë një qasje 360 gradë, duke marrë parasysh çdo kërcënim terrorist”, tha Rutte, raporton televizioni publik i Kosovës.
Presidentja Siljanovska-Davkova, në fjalën e saj, tha se Maqedonia e Veriut është aleate besnike e NATO-s dhe kontribuon për sigurinë e të gjithë rajonit.



