Mbyllet procesi i zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, në garën me vetëm një kandidat, Sali Berishën, ndërsa mbrëmjen e sotme janë bërë publike edhe rezultatet paraprake nga selia blu.
Nënkryetarja e PD, Albana Vokshi, e shoqëruar nga kryetari i partisë Sali Berisha, ka lexuar të dhënat zyrtare, duke bërë me dije se në 77 degët e partisë kanë votuar gjithsej 39.441 anëtarë, raporton “Euronews”.
Sipas rezultateve të bëra publike, 38.902 vota janë konsideruar të vlefshme dhe 539 të pavlefshme. Nga votat e vlefshme, 37.341 kanë qenë pro, 1.055 kundër dhe 506 abstenime.
Votimi nisi në orën 08:00 të mëngjesit në 87 qendra votimi të hapura në të gjitha degët e Partisë Demokratike në vend.
Në këtë proces, në garë ishte vetëm kryetari aktual Sali Berisha, i cili e ka cilësuar votimin e 23 majit si një “referendum” për drejtimin e partisë. Fillimisht u përmendën si aspirantë të mundshëm edhe Evi Kokalari, Ervin Salianji, Alesia Balliu, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj, por ata nuk u përfshinë në garë, duke lënë Berishën si kandidat të vetëm përballë anëtarësisë.
Pas përfundimit të procesit, Partia Demokratike pritet të mbledhë Kuvendin Kombëtar, ku do të miratohen edhe ndryshimet në statut.



