storm•/Shqipëri: Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar datën e seancës paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe katër të pandehurit e tjerë në lidhje me çështjen e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. Seanca do të zhvillohet më 24 tetor në orën 12:00.
Në këtë proces gjyqësor, përveç Sali Berishës, në bankën e të akuzuarve do të jenë edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, si dhe biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, së bashku me noteren Andia Pustina. Ky grup përballet me akuza të rënda për korrupsion dhe shkelje të ligjit lidhur me procedurat e privatizimit.
Prej një viti, ish-kryeministri Berisha është vendosur nën masën e sigurisë “arrest shtëpie,” i akuzuar për veprime të jashtëligjshme dhe urdhra konkrete që kanë çuar në përfundimin e procesit të privatizimit të kompleksit në favor të dhëndrit të tij. Akuzat hedhin dritë mbi përfshirjen direkte të Berishës, në rolin e tij si kryeministër i asaj kohe, në manipulimin e procedurave të privatizimit për përfitime personale.