Salianji paraqitet në polici pas dënimit, refuzon ngujimin në selinë e PD
Storm/Shqipëri: Deputeti demokrat Ervin Salianji u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës të premten pasdite, duke iu bindur vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e dënoi me 1 vit burg për akuzën e “Kallëzimit të rremë” lidhur me një audio-përgjim të vitit 2018, që implikonte vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Megjithëse deputetët e Partisë Demokratike sugjeruan ngujimin në selinë e partisë, Salianji vendosi të përballet ligjërisht me vendimin, duke refuzuar të fshihet pas një akti politik.
Ai kaloi pjesën më të madhe të ditës në selinë e PD, ku u mbajt një mbledhje e gjatë për të vendosur qëndrimin ndaj vendimit gjyqësor. Grupi parlamentar unanimisht sugjeroi ngujimin e deputetëve në seli, por Salianji deklaroi se do të përballej me drejtësinë dhe se do të sakrifikonte lirinë e tij për të mbrojtur të vërtetën.
Mbështetës të opozitës e pritën Salianjin përpara Drejtorisë së Policisë, ku ai u përshëndet me ta përpara se të kryente procedurat ligjore. Më pas, ai u shoqërua nga policia drejt burgut të Fierit, ku do të vuajë dënimin.
Partia Demokratike e ka konsideruar këtë vendim si një goditje politike të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Kryesia e partisë ka propozuar përshkallëzimin e veprimeve të saj, duke paralajmëruar bllokimin e akseve kryesore të vendit. Ndërkohë, deputeti Gazment Bardhi deklaroi se me burgosjen e Salianjit, nuk do të ketë më asnjë marrëdhënie institucionale normale me shumicën parlamentare të udhëhequr nga Rama / Storm-rks