Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ, Sami Kurteshi, ka eskaluar në sulm brutal ndaj mediave.
Pasi ai ofendoi gazetarët në qendrën e KQZ-së, Kurteshi ka sulmuar sërish mediat duke i quajtur si “vrasës me pagesë”.
Ai ka përmendur direkt emrat e disa mediave.
Kurteshi sulmoi edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), që doli në mbrojtje të gazetarëve nga sulmet e Kurteshit.
Postimi i plotë:
ALEANCA e GRUPEVE KRIMINALE (AGK) në MBROJTJE të VRASËSVE me PAGESË!
Aleanca e Grupeve Kriminale (AGK), ashtu sipas një tradite të saj rutinë, e tërbuar qenka vënë sërish në mbrojtje të pronarëve të altoparlantëve të krimit të organizuar dhe dezinformimit – VRASËSVE me PAGESË – me emrat si „Vox“, „periskopi.com“, „Klan-tv“, „gazetaexpress.com“, „telegrafi.com“, „reporteri.net“, „insajderi.com“, „paparaci.com“ e ndonjë tjetër të ngjashme.
Aleanca e grupeve kriminale, lutjen e zëshme e të qartë shqip për respektim të hapësirës së punës për KQZ dhe të mediave, e kualifikon si „pengon fizikisht gazetarët“ dhe shprehet e „shokuar me sjelljen agresive dhe dënon ashpër cenimin fizik të gazetarëve“ nga unë, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ.
Një qenie a grup qeniesh që shpif e gënjen hapur, që lutjen e qartë e të zëshme në gjuhën shqipe, për ndalimin e mësymjes fizike të të ashtuquajturve gazetarë, kamerambajtës në hapësirën e caktuar për mbledhje të KQZ, ose është idiot në kuptimin e plotë të fjalës, ose-ose, mendje e çakorduar kriminale prej vrasësi me pagesë, kur e quan „cenim fizik të gazetarëve“ dhe „pengim fizik të gazetarëve“, dhe si sjellje“recidivist në sulmet ndaj gazetarëve“.
Pikërisht ky reagim, dëshmon pa dyshim për veprime të motivuara e të dirigjuara të „gazetarë/eve“ e „kameramanëve“ të shashtrisur prej kërcënimeve, shantazheve, yshtjeve, keqtrajtimeve nga bosat dhe bosat e bosave të tyre, që janë dëshmuar si vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut.
Përpjekja e kësaj aleance kriminale, me impotencë reale dhe prepotencë verbale – AGK, në stilin „mbrojtja më e mirë është sulmi“ për monopolizimin dhe mbytjen e shprehjes së lirë, për ngulfatjen e zërit të qytetarit aktiv, ka rrëshqitur në veprime të padyshimta kriminale.
Sidoqoftë, veprimet e tilla banditeske e të ngjashme, të „gazetarëve“ dhe „kameramanëve“ të yshtur nga pronarët gërgasës dhe bosët e tyre vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut, megjithë jargavitjen kriminale dhe lutjen djallëzore-fajësuese të aleancës së grupeve kriminale (AGK), do të përballen me të njëjtën përgjigje.
Kështu do ta gjeni, sa herë dhe kurdo që kodin e gazetarisë e zëvendësoni me veprime kriminale e banditeske!



