Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka mbërritur në Magdeburg me ministren e tij të Brendshme, Nancy Faeser, në vendin ku ndodhi mbrëmë sulmi me veturë në një treg krishtlindjesh.
Së bashku me liderin e shtetit të Saksonisë Anhalt, Reiner Haseloff, të gjithë të veshur me të zeza, ata ecën në heshtje nëpër tregun e Krishtlindjeve përgjatë rrugës ku sulmuesi hyri me makinën e tij mes turmave mbrëmë duke vrarë pesë dhe duke plagosur 205. 41 prej tyre janë në gjendje kritike, shkruan “The Guardian”.
Po ashtu, ata shoqëroheshin nga ministrja e mjedisit, Steffi Lemke, dhe ministri i transportit, Volker Wissing.
Scholz më pas foli për gazetarët.
Ai tha se ishte informuar për shkallën e sulmit dhe ishte i tronditur nga përmasat e tij.
“Afër 40 persona janë lënduar aq rëndë sa duhet të shqetësohemi shumë për ta”, tha ai.
Scholz e përshkroi sulmin vdekjeprurës në Magdeburg si një “akt të tmerrshëm, të çmendur”.
Ai tha se “nuk ka vend më të qetë dhe më të gëzuar se një treg Krishtlindjesh”, ku njerëzit shkojnë me miqtë dhe familjen për të shijuar një gluhwein (verë të nxehtë) dhe për pak meditim dhe gëzim.
“Çfarë akti i tmerrshëm është të plagosësh dhe vrasësh kaq shumë njerëz atje me një brutalitet të tillë”.
Scholz dhe ministrat e qeverisë së tij vendosën lule në vendin e sulmit.