Sekretari i Shtetit, Marco Rubio tha se i pret një rrugë e gjatë përpara se të fillojnë çdo bisedë të mundshme paqeje me Rusinë që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke shtuar se “asgjë nuk është finalizuar” në lidhje me takimet e mundshme të ardhshme midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Arabinë Saudite.
“Ne jemi të gatshëm të ndjekim shembullin e presidentit për këtë dhe të fillojmë të eksplorojmë mënyra, nëse ato mundësi paraqiten vetë, për të filluar një proces drejt paqes”, tha Rubio në një intervistë për një televizion amerikan.
Duke folur nga Izraeli ku u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu të dielën, Rubio tha se po shkon për në Arabinë Saudite në pjesën tjetër të udhëtimit të tij aktual jashtë shtetit.
Ai vuri në dukje se udhëtimi i tij ishte planifikuar përpara telefonatave të Trump me Putin dhe Zelenskyy-t. Atij do t’i bashkohen këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz dhe Steve Witkoff, i dërguari i Trump për Lindjen e Mesme.
Sekretari i Shtetit tha se Putin “shprehu interesin e tij për paqen” gjatë telefonatës së tij me Trump, i cili tha se e bëri të qartë “dëshirën e tij për të parë një fund të këtij konflikti në një mënyrë që ishte e qëndrueshme dhe që mbronte sovranitetin ukrainas”.
I pyetur nëse beson se Putini është gati të negociojë dhe të bëjë lëshime për t’i dhënë fund luftimeve, Rubio tha se thirrja duhet të pasohet me veprim dhe se “javët dhe ditët e ardhshme do të përcaktojnë nëse është serioze apo jo”.
“Një telefonatë nuk zgjidh një luftë kaq komplekse sa kjo”, tha Rubio. “Por unë mund t’ju them se Donald Trump është i vetmi lider në botë që potencialisht mund ta fillojë atë proces”.
Rubio, i cili gjithashtu u takua me Zelenskyy në Konferencën e Sigurisë në Mynih të premten, tha se “do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve të ardhshme”.
Ai tha se nëse ka një mundësi “në çdo moment në kohë” për të “filluar të krijojë një hapje për një bisedë më të gjerë” për përfundimin e luftës, ai do ta “eksploronte atë”.
“Një proces drejt paqes nuk është një gjë me një takim. Kjo luftë ka vazhduar për një kohë. Është e vështirë, është e komplikuar, ka qenë e përgjakshme, ka qenë e kushtueshme. Kështu që nuk do të jetë e lehtë t’i jepet fund një konflikti si ky, dhe ka edhe palë të tjera që kanë mendime për këtë”, tha Rubio.
I pyetur për rolin e tij në proces, Rubio tha se “për momentin nuk ka asnjë proces”, ndërsa shtoi se ai pret që do të vijojnë bisedat për të “kuptuar se si mund të duket një proces”.
“Është pak e parakohshme”, vazhdoi Rubio, duke thënë se nuk ka pasur ndonjë “bisedë serioze”.
Sekretari i Shtetit vuri në dukje se nëse fillojnë “negociatat e vërteta”, Ukraina “do të “duhet të përfshihet”, siç do të bëjnë vendet evropiane, duke shtuar se “ne nuk jemi ende atje”.



