Oda Ekonomike e Kosovës dhe përfaqësues të tjerë të sektorit privat kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të subvencionojë sektorin privat në çështjen e energjisë elektrike dhe të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit për Energji anulimin e vendimit për dalje në treg të lirë të energjisë.
Në një letër drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Oda Ekonomike ka bërë thirrje që Kosova të marrë veprime konkrete në kohën kur parashikohet shtrenjtim i mëtejmë i energjisë.
“Duke pasur parasysh se shumë qeveri të shteteve evropiane tashmë kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për të mbrojtur ekonomitë e tyre përmes subvencioneve dhe mbështetjes direkte për bizneset, kërkojmë që edhe Qeveria e Kosovës të ndjekë këtë shembull dhe të ndërmarrë veprime konkrete në mbështetje të sektorit privat. Në këtë kontekst, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të subvencionojë sektorin privat dhe të kërkojë nga ZRrE anulimin e vendimit për daljen në tregun e lirë të energjisë, me qëllim të mbrojtjes së prodhimit vendor, bizneseve, qytetarëve dhe ekonomisë së vendit”, thuhet në një njoftim të OEK-së të publikuar të mërkurën.
Në letrën drejtuar Kurtit po ashtu është thënë se me shtrenjtimin e energjisë si pasojë e daljes në treg të lirë, do të ketë goditje për ekonominë e Kosovës dhe do të shkëputet zinxhiri furnizues e do të ketë ngritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.
Aty është përmendur edhe konflikti Iran-Izrael që ka çuar në rritje të çmimit të naftës, e sipas bizneseve, kjo do të jetë barrë shtesë për to.