Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në dy raste të ndara në Prishtinë, të dyshuar për përfshirje në vepra penale me narkotikë.
Pas një aksioni të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 4 maj 2025, është arrestuar një person në Prishtinë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë sekuestruar: 8.560 gramë marihuanë, 5.34 gramë kokainë, një armë zjarri me karikator e 15 fishekë, dy peshore digjitale, para cash (900 euro), gjashtë orë dore, telefona, kartela bankare, pasaportë, DVR, dokumente të ndryshme dhe një veturë.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”.
Po të njëjtën ditë, rreth orës 16:20, një polic jashtë detyrës ka ndaluar një person që konsumonte marihuanë në veturë.
Pas kontrollit, atij iu gjetën 108.4 gramë marihuanë dhe një cigare e mbushur me drogë.
Në shtëpinë e të dyshuarit nuk u gjetën sende të dyshuara. Edhe ky person është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për “posedim të paautorizuar të narkotikëve”.



