Ardhja e mijëra dronëve në Kosovë, ka nervozuar Serbinë.
Nga vendi fqinj ka pasur reagime të ndryshme, deri të akuzat ndaj Turqisë e biseda me KFOR-in.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, akuzoi Turqisë se po shkel brutalisht Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 dhe po e armatos vazhdimisht Prishtinën.
Presidenti i Serbisë shkroi në rrjetin X se ishte i tmerruar nga një veprim i tillë i Turqisë.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga armatosja e vazhdueshme e autoriteteve në Prishtinë. Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe ëndërron përsëri rindërtimin e Perandorisë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne i kuptojmë qëllimet e tyre të vërteta”, shkroi Vuçiç.
E shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe, gjenerali Milan Mojsiloviq, bisedoi me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutaš lidhur me vazhdimin e armatosjes së FSK-së.
Siç thuhet në njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, në një bisedë me komandantin e KFOR-it, gjeneralin e Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, i cili pak ditë më parë filloi mandatin e tij të dytë si kreu i KFOR-it, gjenerali Mojsiloviq protestoi kundër vazhdimit të armatosjes së sic ata e quajnë të ashtuquajturën “Forca e Sigurisë së Kosovës” dhe shkeljes brutale të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake të Kumanovës.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm theksoi se lëvizje të tilla përfaqësojnë një sinjal shumë të keq dhe kërcënojnë jo vetëm situatën e sigurisë në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë.