spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
01:44
HomeKosovaZgjedhjet 2025Shahini prezanton tri masat e PSD-së për uljen e çmimeve të banimit...

Shahini prezanton tri masat e PSD-së për uljen e çmimeve të banimit në Prishtinë

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2025 në një mënyrë të pazakontë, duke marrë me qira një banesë në kryeqytet.

Ajo tha se qëllimi i këtij formati është të tregojë vështirësitë e jetës së përditshme në Prishtinë, ku çmimet e qirave dhe të banimit janë tejet të larta.

- Advertisement -

Shahini tha se e ka nisur këtë aktivitet me pagën mesatare të kryeqytetit, për të dokumentuar shpenzimet reale të qytetarëve.

“Këtë aktivitet sot po e nisim me 650 euro, që është edhe paga mesatare në Prishtinë. Në ditët dhe javët në vijim, ne do t’i dokumentojmë shpenzimet e zakonshme të qytetarëve në Prishtinë për të parë se sa është e përballueshme jeta në kryeqytet. Veç sot, ditën e parë, ne i shpenzuam 350 euro dhe morëm këtë banesë me qira. Na kanë mbetur edhe 300 për t’i shpenzuar gjatë katër javëve të ardhshme. 350 euro qiraja është pak a shumë sa paguan Teuta në Bregun e Diellit për banesën e saj me qira, apo sa paguan Frashëri kredinë për banesën e tij këtu te lagjja Mati 1”, tha ajo.

- Advertisement -

Duke folur për problemet që e rëndojnë më së shumti buxhetin e familjeve në kryeqytet, Shahini theksoi se janë dy lloje shpenzimesh që po i rëndojnë më së shumti qytetarët.

“Janë dy lloje të shpenzimeve që e rëndojnë më së shumti buxhetin familjar. E para është arsimi – prindërit dhe kujdestarët harxhojnë shumë për çerdhe, kopshte, qëndrim ditor dhe për shkolla. E dyta është banimi. Si qiraja, ashtu edhe blerja e banesës është shumë e shtrenjtë në Prishtinë. Programi ynë i adreson këto dy shtylla”.

Ajo shtoi se çmimet e banimit në kryeqytet janë të papërballueshme dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

“Çdo shpenzim mbi 30 për qind të pagës që shkon për banim – si për qira ashtu edhe për kredi – është indikator që çmimi i banimit është i papërballueshëm. E në Prishtinë shpenzojmë më shumë – deri në 60-70 për qind të pagës shkon për qira apo për kredi. Ne e kemi planin për politika komunale që intervenojnë këtu. Arsyeja pse çmimet janë të larta është se nevoja për banim është shumë e madhe, por banesa në treg nuk ka, as për qira, as për shitje, mjaftueshëm për ta ulur çmimin e banimit. 27 mijë njësi banesore janë krejtësisht të pashfrytëzuara në kryeqytet, për shkak se njerëzit i kanë përdorur si investime ose nuk i kanë fletët poseduese dhe nuk mund t’i tregtojnë këto”, tha ajo.

Shahini bëri të ditura tri masat që PSD planifikon për të ndërhyrë në tregun e banimit.

“Hapi i parë në planin tonë është që t’i pajisim pronarët me certifikata të pronës me fletë poseduese. Edhe kjo i liron një pjesë të banesave dhe i fut në treg për qira apo për shitje. E dyta është një plan tashmë në sirtarët e komunës i ndërmarrjes publike banesore që ndërton 1000 njësi banesore në tokë të komunës, i sistemon 1000 çifte të reja në banesat e tyre, por edhe duke i shitur këto banesa me çmimin e kostos së ndërtimit që është 600 euro për metër katror, intervenojmë në tregun e çmimeve që janë të papërballueshme. Edhe e treta, që ne do ta bëjmë sinjalizim ligjor, është një taksë e mosshfrytëzimit. Aplikohet në të gjitha kryeqytetet që kanë problem me banimin. Edhe kjo taksë, që është më e lartë se sa taksa e zakonshme e pronës, e bën më të leverdishme futjen e një banese në treg për qira apo për shitje sesa për ta paguar këtë taksë. Po i shqyrtojmë edhe politikat për subvencionimin e qirave dhe të kredive”, u shpreh Shahini.

Në këtë aktivitet foli edhe Teuta Rrusta nga PSD, e cila tha se banimi nuk duhet të jetë privilegj, por e drejtë elementare.

“Shpesh krijohet përshtypja që për me mujt me përballu një banesë në Prishtinë, duhet me meritu atë. Duhesh me kanë i zoti me ja dal vetë edhe jo që ajo të takon. Pra, krijohet përshtypja që veç nëse je në sukseset tua vetanake, edhe për këtë arsye pastaj nuk duhet as institucioni, as komuna. E kena pa që kjo nuk është e mundshme. Dinamika shoqërore tregon që njerëzit nuk mund t’i përballojnë çmimet qysh janë, të ndikuara nga biznesi në Prishtinë. Politikat tona çka propozojnë është aq lloj ndërhyrje që njerëzit me përjetu banimin në Prishtinë si diçka që ju takon si e drejtë elementare, e jo si një farë privilegji”, tha ajo.

Ndërsa anëtari i kësaj partie, Frashër Krasniqi, akuzoi ndërtuesit për rritje artificiale të çmimeve të banesave.

“Përveç çmimeve që janë rrit, është një fakt që ajo që është rrit gjatë këtyre viteve është rrit edhe fitimi i kompanive ndërtuese. Ne kemi dëgjuar që thonë ‘është rrit çmimi i ndërtimit, prandaj nuk po kemi çare pa rrit çmimin e banesave’ – kjo nuk është e vërtetë. Kostoja e ndërtimit është rrit, ndërkohë ndërtuesit më të mëdhenj i kanë rrit fitimet 100 për qind. Që i bie – kanë shtrenjtuar çmimet. Çmimet po shtrenjtohen në mënyrë artificiale, nuk është thjesht që kanë hyp çmimet e ndërtimit edhe po rriten çmimet. Këtu ish dashtë të ndërhyjë komuna. Ne nuk jemi kundër bizneseve, por 100 për qind fitim, ndërkohë që çmimi i banesës ka mbërritur deri në 1500-1600 euro për metër katror në periferi – nuk po flasim për qendër – kjo nuk është fer. Këtu duhet të ndërhyjë komuna, këtu do të ndërhyjmë ne”, tha ai.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat