Më 10 dhjetor 1979, në Oslo të Norvegjisë, Gonxhe Bojaxhiut iu dha çmimi Nobel për Paqen, duke u bërë shqiptarja e parë fituese e çmimit më prestigjioz në botë.
Në motivacionin e çmimit, thuhej se Nënë Tereza – tashmë e shpallur shenjtore – u vlerësua për punën e palodhshme në ndihmë të të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe personave në vështirësi, duke demonstruar shërbim të thellë vetëmohues që i solli shpresë dhe dinjitet njerëzimit të vuajtur, duke kapërcyer varfërinë dhe shqetësimin si kërcënim për paqen dhe duke frymëzuar bamirësinë globale përmes Misionarëve të saj të Bamirësisë.
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte.
Ajo deklaroi: “Jam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Shën Tereza kishte vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqipfolëse, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare.
Ajo ishte nënë kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 mijë viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e jetimë.



