Në muajin e promovimit të shëndetit mendor dhe në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës organizoi me sukses një simpozium shkencor me temën “Dhuna në Familje – Qasje ndërdisiplinore dhe roli i profesionistëve të shëndetit mendor”.
Ngjarja mblodhi së bashku psikiatër, psikologë, mjekë të praktikës familjare dhe përfaqësues të institucioneve relevante për të diskutuar një nga sfidat më të mëdha sociale dhe shëndetësore në shoqërinë kosovare: dhunën në familje.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një qasjeje të integruar dhe bashkëpunuese për të adresuar këtë fenomen në rritje, duke vënë në pah nevojën për:
• Ndërhyrje të hershme dhe diagnostikim të saktë të ndikimit që dhuna ka në shëndetin mendor të viktimave;
• Angazhimin e profesionistëve të shëndetit mendor në identifikimin e shkaqeve të dhunës;
• Bashkëpunim ndërdisiplinar për një trajtim më gjithëpërfshirës dhe efektiv;
• Hartimin e politikave të reja dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
“Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës mbetet i përkushtuar në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe në promovimin e shëndetit mendor si një element kyç për një shoqëri më të sigurt dhe më të shëndetshme,” u tha në përmbyllje të simpoziumit.
“Investimi në shëndet mendor është edhe investim në sigurinë shoqërore”.




