Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shërbimi Klinik i Mjekësisë Nukleare shënon një arritje të rëndësishme, duke realizuar 523 incizime me aparaturën moderne PET/CT gjatë vitit të fundit. Ky shërbim i avancuar u mundëson qindra pacientëve në Kosovë të kryejnë ekzaminime të specializuara falas, duke sjellë diagnostikim më të saktë dhe trajtim më efikas brenda vendit.
Aparatura PET/CT është një mjet i fuqishëm diagnostik që zbulojnë në mënyrë precize aktivitetin metabolik të qelizave në trup, ndihmon në identifikimin dhe monitorimin e sëmundjeve serioze si kanceri dhe çrregullimet neurologjike, duke ofruar kështu mundësi më të mira për trajtim të shpejtë dhe efektiv.
Një sfidë e vazhdueshme mbetet furnizimi me materialin radioaktiv FDG, i cili prodhohet në Stamboll dhe transportohet çdo mëngjes përmes Aeroportit të Prishtinës. Për shkak të gjysmëjetës së shkurtër prej vetëm 110 minutash, ky material duhet të përdoret brenda pak orësh, andaj klinika organizon me kujdes oraret dhe numrin e pacientëve për të shfrytëzuar maksimalisht këtë mundësi.
“Vjen përmes aeroportit të Prishtinës, prodhohet në Stamboll dhe neve na vjen në ora 8:30 dhe ne duhet ta shfrytëzojmë brenda pesë ore. Pra ne e organizojmë krejt procesin, i thërrasim pacientët një ditë para, dhe kështu përfundon i gjithë procesi brenda një dite për shtatë deri në tetë pacientë. Pra ky material nuk mund të ruhet e as nuk mund të deponohet, sepse është material që mund të zbërthehet për 110 minuta. Pra një ditë prodhohet, vjen në Kosovë dhe brenda pesë orëve maksimumi ne duhet ta shfrytëzojmë”, thekson Spahiu.
Drejtori i Mjekësisë Nukleare në QKUK, Fakir Spahiu tregon se fillimisht shërbimi është ofruar vetëm një herë në javë, ndërsa tani bëhet dy herë në javë. Ai thekson rëndësinë e një organizimi të mirë për të mos humbur asnjë dozë të materialit radioaktiv.
“Në tre muajt e parë ka qenë sfidë për shkak të materialeve radioaktiv i cili kur hyn tek prodhuesi e që këtë rast vjen nga Turqia, ata duhet ta fusin në listën e furnizuesve të vet dhe ne e kemi pasur fatin që kemi hyrë shpejt dhe brenda tre muajve të parë kemi punuar vetëm një herë në javë, mirëpo nga tetori kemi filluar dy herë në javë dhe me material më shumë”.
Në sektorin privat në Kosovë, një ekzaminim PET/CT kushton nga 1000 deri në 1300 euro, ndërsa në QKUK ky shërbim ofrohet falas për pacientët. Kostoja totale e materialit radioaktiv për 7-8 pacientë arrin rreth 2200 euro, që i bie rreth 300 euro për pacient, duke dëshmuar efikasitetin e shërbimit publik.
Edhe pse ekziston lista e pritjes për shkak të kufizimeve në furnizim, klinika po punon për të zgjeruar kapacitetet me dy aparatura në funksion, për t’i dhënë fund pritjeve të gjata.
Ky njëvjetor shënon një arritje të madhe në ofrimin e shërbimeve mjekësore moderne dhe falas për qytetarët e Kosovës, duke përmirësuar ndjeshëm mundësitë për diagnostikim dhe trajtim të sëmundjeve serioze brenda vendit.