Kjo javë ka një kalendar të pasur me aktivitete artistiko-kulturore.
Mes tyre veçojmë ciklin “Italian Screens – Il Nuovo Cinema Italiano”, me shfaqje filmash italianë të cilët do të shfaqen deri më 25 prill, në disa qytete (Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Prishtinë), si një udhëtim në kinemanë bashkëkohore italiane, me synimin për të forcuar dialogun kulturor mes Italisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Sot në ora 19:00, në Kinema Millennium do të shfaqet “Le citta di pianura” nga Francesco Sossai.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sjell sonte në ora 20:00, komedinë “Sonte do darkojmë në shtrat”, një komedi brilante e shkruar nga autori Marc Camelotti i njohur për suksesin e tij me “Boeing Boeing”. Komedia vjen me regjinë e Kiço Londos.
Një tjetër komedi do të shfaqet në Teatrin e Kukullave, me titull “Shtëpiakë të dëshpëruar”, në datat 20, 21 dhe 22 prill.
Ndër ekspozitat që do të çelen këtë javë në kryeqytet, veçojmë ekspozitën “Zemrat mes andej dhe këtej” nga Jutta Benzenberg, në bibliotekën e COD-it si dhe ekspozitën “Pranverart” që çelet sonte në Galerinë e Artit Tiranë (GAT).
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit sjell mbrëmjen e datës 21 koncertin gala “3 tenorët spanjollë”, ndërsa në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në datën 24 prill, Orkestra Simfonike e RTSH, sjell emocionin e muzikës klasike me një program nga Beethoven e Haydn.
Në datat 21-24, në Universitetin e Arteve do të zhvillohet International Student Film Festival in Tirana.
Aktiviteti i shumëpritur “Sofra e Tiranës” vjen në datë 22 prill në Pallatin e Kongreseve.
“Misa a Buenos Aires” është vepra e jashtëzakonshme e Martín Palmeri e cila vjen në skenën e TKOBAP-së si një bashkim unik i muzikës sakrale me ritmet pasionante të tangos argjentinase.
Një produksion i veçantë që vjen nën firmën regjisoriale dhe interpretimin e mezzosopranos së teatrit, Vikena Kamenica, ku së bashku me Trupën e Baletit, e cila sjell ritmet e tangos përmes koreografisë së Enada Hoxhës. /atsh



