spot_img
E martë, 21 Prill, 2026
00:15
HomeOpinioneShkruan: Mero Baze / Kosova në gjunjë para Albin Kurtit

Shkruan: Mero Baze / Kosova në gjunjë para Albin Kurtit

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kosova në gjunjë para Albin Kurtit

Shkruan: Mero Baze

- Advertisement -

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të treta parlamentare në harkun e një viti, për shkak të vendimit të Albin Kurtit për të gjunjëzuar opozitën që ajo të votojë kandidatin e tij për president. Zgjedhjet e para dështuan pasi Albin Kurti nuk mori dot 50 plus të votave dhe për tetë muaj e mbajti vendin me procedura parlamentare në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit e më pas qeverinë.

Pas dështimit hyri në zgjedhjet e dyta parlamentare po me qeverinë e një viti më parë, dhe falë rënies së LDK dhe AAK, arriti të marrë 51 për qind, duke qenë i lirë ta bënte vetë qeverinë.

- Advertisement -

Por as këtu nuk u ndal. I duhet dhe presidenti i vendit. Vjosa Osmani duket se i ishte kthyer në problem për shkak të protagonizmit të saj me faktorin ndërkombëtar, kryesisht Bashkimin Evropian dhe SHBA, dhe kërkon një president të tij, që të mos i bëjë hije. Ia kërkon këtë partive të opozitës, sikur t’ia kenë borxh, në vend që të bëjë marrëveshje duke ofruar presidentin dhe duke konsoliduar një shumicë afatgjatë në Kosovë në këto kohë të vështira.

Sot kanë dështuar bisedimet me LDK dhe PDK, dhe duket se rrugëzgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja. Albin Kurti nuk ka shanse të marrë aq vota sa duhen për president, edhe pse mund të dalë sërish parti e parë, dhe kështu Kosova, për shkak të ambicies së tij, do të hyjë në një spirale pafund mosqeverisjeje, një lloj “revolucioni permanent”, siç e pati cilësuar Lenini teorinë e tij të marrjes së gjithë pushteteve.

Përballë tij gjendet një opozitë e fragmentarizuar dhe e kompleksuar nga të qenit pakicë, duke mos ia dalë të krijojë një frymë besimi për të ndryshuar rezultatin. LDK, e cila nga një parti politike është kthyer në një administratë burokratike, tani shpreson se me Vjosa Osmanin mund të ngrejë brekët që ia ka çuar në fund të këmbëve lidershipi i saj. PDK, me kokë nga Haga e me sy nga pushteti, nuk ka shanse të shkojë më lart se sa është, ndërsa Haradinaj është i padobishëm në kushtet kur dy partitë kryesore janë në rënie.

Në këto kushte, kriza në Kosovë do të përsërisë vetveten si një fotokopje bardh e zi, ku të gjithë e dinë se çfarë do të ndodhë. Kosova nuk do të qeveriset derisa Albin Kurti të marrë gjithë pushtetet, ose derisa opozita të shpërndahet e të shkojë në shtëpi. /GazetaTema

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat