Izraeli po përballet me kritika të rënda pasi OKB-ja akuzoi ushtrinë e saj se e kishte goditur vazhdimisht pozicionet e saj në Libanin jugor, duke plagosur dy paqeruajtës.
Disa nga aleatët e saj kërkuan më shumë detaje mbi incidentin në Naqoura, ndërsa kryediplomati i BE-së e përshkroi atë si një linjë tjetër që është “kaluar në mënyrë të rrezikshme” në Liban, ku Izraeli po zhvillon një luftë intensive kundër militantëve të Hezbollahut.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon tha se Izraeli rekomandoi që UNIFIL të zhvendoset në veri në Liban “për të shmangur rrezikun ndërsa luftimet intensifikohen”.
Por Ministria e Jashtme e Turqisë tha se sulmet e Izraelit ndaj forcave të OKB-së, pas masakrave kundër civilëve në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban, janë një manifestim i perceptimit të tij se krimet e tij mbeten të pandëshkuara.
Ndërkohë, shefi i paqeruajtësve të OKB-së, Jean-Pierre Lacroix i tha Këshillit të Sigurimit se siguria e më shumë se 10,400 paqeruajtësve të OKB-së në Liban ishte “gjithnjë e më shumë në rrezik”.
Ai tha se operacionet praktikisht ishin ndalur që nga fundi i shtatorit, duke përkuar me përshkallëzimin e konfliktit të Izraelit me Libanin.
UNIFIL i quajti sulmet ndaj paqeruajtësve “një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar humanitar”.
Ndërkohë, raportohet se komandanti i lartë i Hezbollahut, Wafiq Safa, i ka mbijetuar një atentati izraelit në Bejrut.
Sulmet në dy zona të ndryshme në kryeqytetin libanez vranë të paktën 22 persona dhe plagosën 117 të tjerë, tha ministria libaneze e shëndetësisë.



