Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pas mesnate te zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan. Lajmin e ka konfirmuar policia.
Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, ka theksuar se rasti ka ndodhur rreth orës 00:30, duke shkaktuar dëme materiale.
“Persona të lënduar nuk ka. Janë shkaktuar dëme materiale, thyerje xhamash, por nuk ka të lënduar”, ka thënë ai.
Sipas tij, njësitet përkatëse të policisë kanë dalë në vendngjarje dhe po zhvillojnë hetimet për rastin.
E PËRDITËSUAR / Policia e Kosovës ka dalë me detaje të reja për shpërthimin që ndodhi mbrëmë pas mesnate në objektin e Postës së Kosovës në Zveçan.
Siç bën të ditur policia, janë hedhur dy granata dore nga persona ende të paidentifikuar.
Si pasojë e shpërthimit të njërës granatë janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar. Me të dalë në vendin e ngjarjes njësitet policore kanë vërejtur se brenda objektit gjendet edhe një granatë e pashpërthyer, ndërsa banorët përreth janë evakuuar derisa njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë bërë shpërthimin e granatës në mënyrë të kontrolluar.
“Me datën 01.04.2025 rreth orës 00:20 person/a të panjohur kanë hedhur dy (2) granata dore në objektin e Postes se Kosovës në Zveçan. Si pasojë e shpërthimit të njërës granat janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar. Njësitet policore relevante pasi kane dale ne vend te ngjarjes kanë vërejtur se brenda objektit gjendet edhe një granatë e pa shpërthyer, ku ne lidhje me këtë njësitë policore paraprakisht kanë bërë sigurimin e vendit te ngjarjes, ndërsa banoret janë evakuuar për një kohë, deri sa nga njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë bërë shpërthimin e granatës në mënyrë të kontrolluar”, thuhet në njoftim.
Policia, po ashtu, njofton se Njësia anti-terror janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.



