Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku si pasojë është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Kjo u konfirmua nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një përgjigje për KosovaPress.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, citohet të ketë thënë ai.
Poashtu në raportim bëhet e ditur se uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes, për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit.
Në një njoftim në Facebook, KRUM shton se nga ky kanal furnizohen me ujë të pa përpunuar.
“Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijes. Për çdo zhvillim të ri ne do u mbajmë të informuar”, thuhet në njoftim.



