Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur procesin e konsultimit publik për një nismë të rëndësishme: miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Rrugore 2026-2030 dhe Planit të saj të Veprimit.
Kjo strategji synon të sjellë ndryshime thelbësore për të përmirësuar sigurinë në rrugët e Shqipërisë dhe për të reduktuar numrin e aksidenteve.
Me qëllim përfshirjen e gjerë të të gjitha palëve të interesuara, Ministria mirëpret sugjerimet nga qytetarët; ekspertët e fushës; institucionet dhe subjektet e interesuara; organizatat jofitimprurëse dhe shoqëria civile
Sipas saj, ky është një shans i mirë për të kontribuar në një çështje me rëndësi kombëtare, duke ndikuar direkt në formulimin e politikave që prekin jetën e përditshme të çdo drejtuesi mjeti, këmbësori apo çiklisti dhe se pjesëmarrja në këtë konsultim do të ndihmojë në krijimin e një strategjie më të plotë dhe efektive, e cila do të ndërtojë një sistem rrugor më të sigurt për të gjithë.
Ky dokument synon të përmirësojë ndjeshëm sigurinë në rrugët e vendit, me objektiv kryesor reduktimin e fataliteteve me 30% deri në vitin 2030, krahasuar me shifrat e vitit 2021. Hartimi i kësaj strategjie, i asistuar nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Para-Aderimit III, është një hap kyç drejt përafrimit me standardet evropiane.
Është gjithashtu një detyrim i vendosur nga Komisioni Evropian si pjesë e procesit të integrimit. Shqipëria, pavarësisht progresit të arritur në infrastrukturë, ende përballet me sfida të mëdha në sigurinë rrugore. Kjo strategji synon të kapërcejë këto sfida dhe të ndjekë vizionin e BE-së “Zero Vdekje” deri në vitin 2050, shkruan rtsh.al.
Qasja e “Sistemit të Sigurt”
Me Strategjinë e re të Sigurisë Rrugore 2026-2030, Shqipëria po miraton Qasjen e Sistemit të Sigurt (QSS). Kjo qasje ka për qëllim të krijojë një sistem transporti ku askush nuk vritet ose lëndohet rëndë, duke ndarë përgjegjësinë për sigurinë ndërmjet të gjithë aktorëve.
Ky dokument strategjik bazohet në pesë shtyllat e sigurisë rrugore të OKB-së: menaxhimi, rrugët, automjetet, përdoruesit e rrugës dhe reagimi pas aksidentit. Zbatimi i plotë i planit të veprimit të kësaj strategjie është hapi tjetër thelbësor drejt arritjes së ambicies së përbashkët për një “Vizion Zero”.
Ky plan është vlerësuar si realist nga ekspertët dhe pritet të sjellë ndryshime thelbësore në sigurinë e qytetarëve shqiptarë në rrugë, duke u bërë një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë.
Kostot tronditëse të aksidenteve rrugore, vlera e humbjeve shkon deri në 9% të PBB-së
Aksidentet rrugore në Shqipëri nuk sjellin vetëm tragjedi njerëzore, por edhe një barrë të rëndë ekonomike që shpesh neglizhohet. Përveç dhimbjes dhe humbjes së jetëve, këto ngjarje kanë një kosto financiare marramendëse për vendin, e cila, sipas metodologjisë së BE-së, mund të arrijë deri në 9% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).
Sipas dokumentit zyrtar të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Rrugore 2026-2030, analizat e kostove të aksidenteve rrugore tregojnë një realitet shqetësues.
“Kostot direkte përfshijnë shpenzimet mjekësore, shërbimet e urgjencës, dëmet në automjete dhe infrastrukturë. Ndërsa kostot indirekte, si humbja e produktivitetit dhe e të ardhurave për familjet dhe ekonominë, janë shpeshherë më të mëdha.”, thuhet në dokumentin Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Rrugore 2026-2030.
Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore nga viti 2021, kostot mesatare të një aksidenti rrugor në Shqipëri ishin:
Aksident me pasojë fatale: 135,391 Euro
I plagosur rëndë: 22,988 Euro
I plagosur lehtë: 2,526 Euro
Bazuar në këto shifra, kostoja totale e aksidenteve në vitin 2018 u vlerësua në 35.3 milionë euro.
Megjithatë, vlerësimet e fundit me metodologjitë ndërkombëtare tregojnë një panoramë edhe më të zymtë.
Një model i Programit Ndërkombëtar të Vlerësimit të Rrugëve (iRAP) e vlerëson koston e aksidenteve rrugore në Shqipëri për vitin 2023 në 413 milionë dollarë amerikanë, që përfaqëson rreth 1.7% të PBB-së.
Ndërkohë, kur aplikohet metodologjia e përdorur nga vendet e BE-së, shifrat rriten ndjeshëm. Sipas kësaj metodologjie, kostoja vjetore e aksidenteve në Shqipëri vlerësohet në 2.2 miliardë dollarë amerikanë, që është rreth 9% e PBB-së dhe më shumë se pesë herë më e lartë se vlerësimi i mëparshëm. Kjo tregon se humbjet reale janë shumë më të mëdha se sa ishte menduar më pare, shkruan rtsh.al.
Këto kosto të larta socio-ekonomike theksojnë rëndësinë e madhe të investimit në sigurinë rrugore. Zvogëlimi i aksidenteve nuk do të thotë vetëm shpëtim i jetëve, por edhe kursim i një sasie të konsiderueshme parash që mund të përdoren për të përmirësuar sektorë thelbësorë si arsimi dhe shëndetësia.
Prandaj, zbatimi i plotë i masave të propozuara në Strategjinë e re Kombëtare të Sigurisë Rrugore është thelbësor. Kjo strategji, synon të reduktojë fatalitetet rrugore dhe të adresojë të gjithë faktorët e aksidenteve, duke sjellë jo vetëm siguri, por edhe përfitime të mëdha ekonomike për të gjithë vendin.
Progres i ndjeshëm në sigurinë rrugore, por sfidat mbeten
Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj në përmirësimin e sigurisë rrugore gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të fundit, numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore ka rënë ndjeshëm, duke shënuar një progres prej 48.58% nga viti 2010 deri në 2020. Kjo do të thotë që numri i viktimave ka rënë nga 352 në 181, një shifër inkurajuese që tregon se vendi është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e Bashkimit Evropian.
Ky përmirësim është rezultat i harmonizimit të legjislacionit kombëtar me standardet e BE-së, si dhe i ndryshimeve në Kodin Rrugor, duke përfshirë vendosjen e sistemit të pikëve dhe dënimeve më të ashpra për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur. Me 197 viktima në vitin 2021 dhe 175 në 2024, trendi rënës vazhdon, duke konfirmuar efektivitetin e planifikimit strategjik.
Ku qëndrojnë sfidat?
Pavarësisht këtij progresi, sfidat mbeten serioze. Vlen të theksohet se problemet kryesore lidhen me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Sjellje me rrezik të lartë, si shpejtësia tej normave, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, mungesa e përdorimit të rripit të sigurimit dhe drejtimi në gjendje të dehur janë ende të përhapura, madje e fundit shfaq një trend në rritje.
Sipas dokumentit strategjik, një tjetër pikë e dobët është infrastruktura rrugore dhe planifikimi urban.
“Rrjeti rrugor i trashëguar, i kombinuar me urbanizimin e shpejtë dhe shpeshherë të pakontrolluar, ka krijuar kushte të rrezikshme, veçanërisht për përdoruesit më të cënueshëm të rrugës si këmbësorët dhe çiklistët. Për më tepër, autoritetet lokale shpesh kanë burime të kufizuara dhe u mungon eksperienca për të menaxhuar në mënyrë efektive sigurinë rrugore.”, konstaton dokumenti.
Strategjia bazohet në konceptin e “Sistemit të Sigurt” dhe përqendrohet në pesë komponentë kryesorë:
Menaxhimi i sigurisë rrugore
Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive kryesore për të pasur një qeverisje të qartë dhe efektive.
Rrugë më të sigurta
Përmirësimi i infrastrukturës, me fokus të veçantë te këmbësorët dhe çiklistët, për të ulur pasojat e aksidenteve.
Mjete më të sigurta
Përmirësimi i standardeve të sigurisë së automjeteve duke u përafruar me teknologjitë dhe rregulloret e BE-së.
Sjellje e Përdoruesve
Krijimi i një kulture të sigurt rrugore përmes edukimit, ndërgjegjësimit publik dhe forcimit të zbatimit të ligjit.
Reagimi në Raste Emergjence
Përmirësimi i sistemeve të reagimit të shpejtë, kujdesit pas aksidentit dhe rehabilitimit për të maksimizuar mbijetesën dhe rikuperimin. /rtsh.al