Foto nga viti 1921 nga miku i madh zviceran i Shqipërisë, Eugène Pittard janë publikuar për herë të parë në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, mundësuar nga Ambasada e Zvicrës në vendin tonë.
Ekspozita është një udhëtim unik nëpër historinë dhe identitetin shqiptar, përmes objektivit të antropologut dhe akademikut të shquar zviceran Eugène Pittard ku një koleksion fotografish janë rikthyer në Shqipëri pas pothuajse 100 vitesh.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, kuratori i ekspozitës, Elton Koritari, publicisti dhe shkrimtari Luan Rama, studiuesi Kudret Isaj, të cilët theksuan rëndësinë e këtij projekti si një dëshmi e rrallë e miqësisë zvicerano-shqiptare dhe e ruajtjes së kujtesës historike përmes artit dhe fotografisë.
“Po rizbulojmë historinë e patreguar të punës dhe kontributit të këtij akademiku të njohur zviceran”, tha ambasadorja zvicerane Ruth Huber, në hapje.
“Imazhet që ai kapi nuk janë thjesht regjistrime të kohës dhe vendit, ato janë shprehje admirimi dhe respekti. Përmes këtyre fotografive mund ta shohim Shqipërinë ashtu siç e shihte Pittard: një vend me bukuri mahnitëse, thellësi kulturore dhe humanizëm”, shtoi ambasadorja Huber.
“Është interesant fakti që, një shekull përpara, ky njeri e bëri të vetën Shqipërinë. Thoshte se Shqipëria do të jetë si Zvicra e Lindjes. Domethënë, ai gjente një lloj paralelizmi të identiteteve dhe të stoicitetit të dy popujve, shqiptar e zviceran”, u shpreh studiuesi Luan Rama.
“Si një kronist i palodhur që i ra kryq e tërthor Shqipërisë, ai ishte njëkohësisht dhe një dëshmitar historik duke na lënë trashëgim imazhe që nuk gjenden në arkivat shqiptare dhe që sot përbëjnë referencë. Atij i interesonte fytyra shqiptare, njeriu, për të deshifruar diçka sociale: përkatësinë e tij dhe marrëdhënien me tokën e për më tepër me dramën që përjetonte një popull”, tha botuesi dhe studiuesi Luan Rama.
“Pittard, me syrin e tij prej humanisti, i shikoi shqiptarët jo si objekte studimi të ftohtë, por si dëshmitarë të gjallë të një historie që meritonte të ruhej, të respektohej dhe të tregohej”, u shpreh kuratori i ekspozitës, Elton Koritari.
Ndërsa Kudret Isai tha se, Pittard zbuloi për herë të parë periudhën e Neolitit, në Shqipëri, në fshatin Tren të Prespës, gjatë gërmimeve që bënë fshatarët në “Shpellën e ujkut”.
“Gjatë viteve ’25-30, ai u bë pjesë e një komisioni të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në lidhje me një studim demografik, për përhapjen e malarjes në Shqipëri, e sidomos tek fëmijët shqiptarë. Për këtë, Pittard u kujdes të dërgonte kinina për fëmijët e Shqipërisë”, tha Isaj.
Vizitorët ndoqën edhe një film dokumentar dhe panë përmes syzeve VR, një material arkivor instalativ që ndërthur historinë me teknologjinë bashkëkohore, duke ofruar një përvojë ndijore dhe emocionale të jashtëzakonshme.
Gjatë mbrëmjes u promovua edhe katalogu zyrtar i ekspozitës, që përmbledh veprat dhe dokumentet e rralla të prezantuara në këtë projekt, i cili do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 13 nëntor 2025.
Eugène Pittard ishte një kontribues i madh për Shqipërinë. Fotot e tij tregojnë një pamje të jashtëzakonshme të vendit dhe njerëzve në vitet 1921 dhe 1924. Në vitin e brishtë 1921, Eugène dhe Hélène Pittard vizituan Shqipërinë për herë të dytë, duke udhëtuar nëpër vend me kamerën e tyre dhe duke kapur në celuloid jetën e përditshme, qytetet në rritje dhe peizazhet e paprekura.
Eugène Pittard u bë zëdhënësi ndërkombëtar i Shqipërisë në një kohë delikate. Ai loboi fuqishëm për të drejtat dhe sovranitetin e vendit dhe luajti një rol jetësor në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920. Broshura e tij më e famshme “Pour L’Albanie” e botuar në të përditshmen e Gjenevës “La Suisse” paraqet gjendjen reale të vendit në atë periudhë, ofron argumente dhe bën thirrje për njohjen e sovranitetit të Shqipërisë. Pittard është gjithashtu themeluesi i Kryqit të Kuq Shqiptar.
Fushata për të njohur figurën dhe kontributin e Eugène Pittard për Shqipërinë vazhdon me një sërë aktivitetesh të tjera gjatë gjithë viteve 2025-2026. /atsh