Për herë të parë Shqipëria mikpret një festival arkitekture, i cili ka mbledhur në Tiranë qindra arkitektë nga e gjithë bota, për të diskutuar sfidat e zhvillimit urban e social të ditëve të sotme.
“Ju uroj mirëseardhjen këtu, në zemrën pulsuese të Tiranës, në një Shqipëri që sot prodhon arkitekturë më shumë se e gjithë Evropa bashkë”, tha Rama.
Festivali ka emrin “Bukë dhe Zemër” dhe motoja e tij është sillni pak kripë; duke mishëruar kështu mikpritjen shqiptare në thënien e vjetër: Bukë, Kripë e Zemër.
Bazuar mbi këtë thënie kryeministri Edi Rama ftoi arkitektët të shohin mundësitë e pafundme që ofron Tirana dhe Shqipëria.
“Tirana sot nuk është më vetëm një skenë, është katalizator; nuk është vetëm një vendndodhje por është bashkëpunëtor. Projektet që lindin në Shqipëri nuk janë mediokritete lokale apo klishe globale; janë të gjalla, me vlerë sepse vijnë nga shkrija e asaj çka është thellë e rrënjosur dhe asaj që është e hapur”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri Edi Rama shpjegoi para arkitekteve vizionin e tij për të ardhmen e vendit.
“Jetojmë në një botë krizash që shumëfishohen; natyrore dhe të bëra nga njeriu; ku vetë ideja “ne” është e rrethuar; ku dialogu zhytet në zhurmë e politika drejtohet nga frika; ku suksesi matet nga lartësia dhe jo nga afërsia ku ambicia personale harron shpesh përgjegjësinë për të tërën. Kësisoj ky takim nuk është vetëm premtim arkitekture. Por një lloj arkitekture në vetvete, një konstrukt njerëzor ndërtuar mbi rrënojat e brishta të asaj çka kemi trashëguar, mbi ëndrrat që ne shpresojmë që ende të realizohen. Një ftesë për të krijuar e për të kujtuar; për të kujtuar çfarë do të thotë të kemi diçka të përbashkët e për të krijuar atë çka mungon ende e çfarë është më urgjente të kujtojmë që ta ndajmë atë”, tha Rama.
Aktualisht, mbi 150 ekipe ndërkombëtare arkitekture janë të angazhuara në projekte në të gjithë Shqipërinë.
Pjesë e festivalit të arkitektëve nga mbarë bota ishin edhe disa prej arkitekteve që kanë realizuar me profesionalizëm të lartë disa nga projektet e grupit “Concord Investment”, që janë Marina e Orikumit, Festival City, Arameras Beach & Resort dhe së fundmi projekti i vilave qeveritare në Vlorë që u fitua nga studio e arkitekturës austriake “Precht”.