Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, zhvilloi një takim me komandantin Suprem të Aleancës në Evropë (SACEUR), gjeneralin Alexus Gregory Grynkewich, gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri.
Takimi u fokusua në investimet strategjike në industrinë dhe infrastrukturën kritike, si dhe në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe reaguese të vendit, në përputhje me angazhimet e marra në Samitin e Hagës.
“Kënaqësi të mikprisja sot Komandantin Suprem të Aleancës në Evropë (SACEUR) Gjeneralin Alexus Gregory Grynkewich, në vizitën e tij të parë në vendin tone. Në vigjilje të mbledhjes se vendeve të Kartës së Adriatikut në Tiranë, ndajmë me SHBA të njëjtin vlerësim mbi natyrën dhe nivelin e kërcënimeve në Evropën Jug Lindore. Në këtë kontekst biseduam për investimet në industri dhe infrastrukturë kritike që Shqipëria po ndërmerr për të rritur strukturalisht dhe vijueshmërisht kapacitetet e saj mbrojtëse dhe reaguese në përputhje me angazhimet tona në Samitin e Hagës”, shkruan Vengu në rrjetet sociale.
Gjatë bisedimeve, Vengu theksoi se innovacioni do të jetë në qendër të strategjisë së modernizimit të sektorit industrial dhe ushtarak. Kjo qasje synon të mbështesë dhe rrisë kapacitetet e misioneve të NATO-s dhe BE-së, ku trupat shqiptare janë aktualisht të angazhuara, veçanërisht në misionin e KFOR-it.
Gjithashtu, në prag të mbledhjes së vendeve të Kartës së Adriatikut që do të mbahet në Tiranë, ministri Vengu ndau me përfaqësuesin amerikan të njëjtin shqetësim mbi natyrën dhe nivelin e kërcënimeve në Evropën Juglindore. Ky takim nënvizon përkushtimin e Shqipërisë për të forcuar bashkëpunimin me aleatët e saj në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.