Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar sot se është mbyllur kompania paralele e ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut.
Vendimi është marrë me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të kësaj ministrie dhe konsiderohet si një hap konkret drejt sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Rizvanolli ka bërë të ditur se shërbimet e ujësjellësit për qytetarët e Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti.
“Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU Mitrovicës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica, me standarde më të larta dhe në përputhje të plotë me ligjet tona. Ky është shteti ynë, këto janë institucionet tona, dhe ato do të jenë të vetmet që shërbejnë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ndër të tjerash Rizvanolli.
Ajo ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe KRU Mitrovicën për gatishmërinë për të shërbyer pa dallim të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Ky është shteti ynë, këto janë institucionet tona, dhe ato do të jenë të vetmet që shërbejnë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Rizvanolli.



