Shqyrtimi fillestar për të akuzuarin Dragan Ristiq është shtyrë pasi mbrojtja nuk i ka pranuar të gjitha provat e përkthyera në serbisht.
Prokuroria Speciale e akuzon Dragan Ristiqin për pjesëmarrje në vrasje, keqtrajtim, dëbim dhe shkatërrim e plaçkitje të pronës së popullatës civile shqiptare në rajonin e Gjakovës gjatë luftës.
Seanca u shty me kërkesë të avokates së të pandehurit, Jovana Filipoviq.
Prokurori special, Kastriot Memaj, tha se përkthimi do të jetë i gatshëm brenda dy apo tri ditësh.
Shqyrtimi fillestar, që është seanca gjyqësore ku lexohet aktakuza dhe ku i pandehuri deklarohet lidhur me fajësinë, është shtyrë për datën 22 korrik.



