spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
01:43
HomeOpinioneSi bëhen gjërat traditë? Rasti i tregut në Ratkoc

Si bëhen gjërat traditë? Rasti i tregut në Ratkoc

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Nga: Agron Hoti

Në fshatin tim të lindjes, Ratkoc, Bashkia e Rahovecit, në vitet ’80—mund të ketë qenë viti ’86 apo ’87—vendosëm me atë takatin tonë të kohës që ta bënim fshatin me treg. Na vinte shumë inat pse qysh në atë kohë Prishtina, Prizreni apo Gjilani kishin treg, e ne jo. Plus, ne si fshat “nguteshim” turravrap “andej Gradishit” që të dukeshim para të tjerëve (demek më të prapambetur) se ua zinim cakun, pra ta bënim tregun para Rogovës, Krushës së Madhe dhe Xerxës – konkurrentë zhvillimorë që edhe sot i kemi.

- Advertisement -

Me Zoqishtin, Bellacerkën, Drenocin e Celinën shyqyr Zotit nuk i kishim punët keq – ata raki, ne birra. Malësisë së Vogël (Radostes) ia kishim një çikë zili, se i ruanin lekët mirë, e flitej që kishin më shumë se ne. Edhe sot punojnë nëpër banka, sigurime e adaleta… Por s’kemi ç’bëjmë. Dejni dajma neve të Ratkocit na i ka udhëhequr zhvillimet kulturore e artistike. Dhe, edhe pse nuk kishim asfalt, as pushtet, kishim dëshirën me pas treg, e aty fillon gjithçka.

Vendosëm që dita e martë të ishte ditë tregu, mbështetur edhe në bestytnitë e kohës – të martave s’duhej punuar, por vetëm tregtuar. Problemi tjetër ishte lokacioni, se s’guxoje ta hapje tregun pa miratimin e mahallës përkatëse – përndryshe kërciste dajaku si në Karadak.

- Advertisement -

Ratkocin e përshkojnë dy përroska: ajo e Hotit në veri dhe ajo e Marinës (Morinës) në jug, që të dyja vijnë nga lindja kodrinore. Kush që i bën bashkë, s’ka. Dhe ashtu të ndara derdhen në Drinin e Bardhë që është në perëndim të fshatit. E si rrjedhojë, vendosëm që tregu të ishte jo larg stacionit të trenit, afër shkollës fillore, që nxënësit të merrnin sa më pak zhurmë gjatë mësimit.

Më kujtohet si fëmijë, kur paria e fshatit organizoi që njerëzit të sillnin bagëti, dru apo ndonjë gjësend tjetër për shitje, thjesht për ta bërë tregun të dukej i vërtetë. Askush nuk blinte gjë në fillim – dukej më shumë si ngjarje zbavitëse – por kishte një këmbëngulje fshati që tregu të bëhej traditë. Dhe kështu ndodhi. Javë pas jave, muaj pas muaji, tregu filloi të merrte formë.

Në atë kohë, Ratkoci kishte shkollën fillore, bibliotekën, gjimnazin dyvjeçar, ekipin e futbollit “Borci”, kooperativën bujqësore, postën, ambulancën, stacionin e trenit, stacionin e policisë që të zhdëpste çymlek, Zyrën e Regjistrit Civil, dy shitore – e Tahirit dhe e Asllanit, xhaminë, shtëpinë e kulturës, dhe “Kupolën e Artë” – sistemin raketor për mbrojtjen nga breshëri. Ishim të pajisur më mirë se sa duken fshatrat zakonisht në histori.

Pas tregut, na duhej edhe rruga me asfalt. Në vitet 1990-1991, me vetëkontribut nga tri fshatra (Ratkoc, Radostë e Gexhë), u mblodhën afro 1 milion marka gjermane dhe u asfaltua gjysma e rrugës Gexhë–Ratkoc. Ishte diçka e padëgjuar në Kosovën e paraluftës. Dhe konkurrenca “matanë Gradishit” mezi po e kapërdinte këtë punë.

Më vonë, dita e tregut u zhvendos nga e marta në të diel, që të mund të vinte kushdo – sepse të dielave, në ato kohëra, ishim të gjithë në “pushim” 7/24. Filloi të merrte formë tregu – fillimisht afër shkollës fillore, e më pas u zhvendos te gjimnazi, “sa të kalonte disa klasë” dhe pse jo, nesër në fakultet.

Në tregun e Ratkocit shitej çdo gjë: kaseta me këngë patriotike e tallava, CD të zhurmshme, mjete bujqësie, rroba, bagëti, dru, zarzavate… E pas luftës, nisën të lulëzonin edhe kafeteritë, frizerët, firmat ndërtimore, dyqanet e vetëshërbimit. U zhvendosëm nga odat në kafeteri. Dhe në treg – përveç tregtisë – filloi edhe socializimi, kozmopolitizimi, përzierja kulturore.

Sot, në të dielat, Ratkoci duket si qytezë. Ka qytetarë nga mbi 20 fshatra përreth, e pse jo edhe nga qytete. Diaspora gjithashtu vjen me gëzim në ditën e tregut, për t’u çmallur. Edhe ne “shkollovanët” që jemi në Prishtinë apo gjetkë mezi presim ndonjë kafe a birrë në treg, me pak rrëfim, humor, kungja e ndonjë kujtim të përbashkët.

Rivalët tanë tradicionalë – Krusha, Rogova, Xerxa – tash vijnë për kafe në Ratkoc. Krusha e Madhe nuk i ka më as Nehën, as Hysin, as Kumanantin… Rogova ka bërë salltanet, por e ka çuar flamurin e bardhë. Ndërkohë, edhe Dejni tash ka festivalin “Anadrinia Jehon”, Rahoveci ka “Hardh Fest”-in me Gipsy Kings e të tjerë. E “Forumi i Anadrinisë në Prishtinë” (FARD) mundohet t’ia kalojë Ratkocit… po kot e ka.

Ky ishte rrëfimi për tregun e Ratkocit, motra e vëllezër. Faleminderit për leximin dhe faleminderit bashkëqytetarëve për çdo plotësim, përmirësim e pse jo edhe përtashësim të rrëfimit tim. E çova pak si gjatë, por bëhet mirë, pa meraqe.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat