Është përmirësuar situata nga zjarret në Shqipëri, teksa aktualisht aktive janë 2 vatra, ndërsa 1 është në monitorim. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë orëve të fundit u evidentuan 14 vatra, por 11 prej tyre janë shuar plotësisht.
Në zonën e Akërnisë në Vlorë, situata aktualisht është nën kontroll dhe e qetë. Operacionet në terren po vijojnë që në orët e para të mëngjesit, ndërsa janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë nga MZSH Vlorë, 21 forca bashkiake, 3 punonjës të Shërbimit Pyjor, 4 përfaqësues nga AdZM, 3 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë dhe 40 trupa nga FA dhe helikopteri i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas Ministrisë, momentalisht nuk vlerësohet i nevojshëm ndërhyrja me skrepa apo avionë Canadair. Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe pjesërisht në zonën e ish-fazanerisë.
Në zonën e Bogovës në Skrapar, edhe pse intensiteti i zjarrit ka qenë më i ulët, nuk është arritur izolimi i plotë gjatë natës së kaluar. Sot vatra është në monitorim të punonjësve zjarrfikës Skrapar dhe Shërbimit Pyjor. Deri tani janë djegur rreth 18 hektarë pyll. Nuk ka rrezik për banesa.
Në zonën e Pezë Helmësit, Tiranë, vatrat janë të izoluara dhe të minimizuara, pa përbërë aktualisht rrezik të shtuar.
Ministria thekson se të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim. /rtsh