E PLOTËSUAR / Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme, në të cilën pritet votimi i ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
“Konstatoj se në seancë janë 93 deputetë, përfshirë këtu edhe 9 deputetë nga komunitetet tjera, që nënkupton se nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin për votim të amendamenteve kushtetuese. Do të njoftoheni kur të plotësohen kushtet”, ka thënë Haxhiu.
Po ashtu, Haxhiu i ka ftuar deputetët që të qëndrojnë në ambientet e Kuvendit, pasi ka thënë se do të ketë edhe një seancë tjetër.
“Do të ketë edhe një seancë tjetër, prandaj ju ftoj të qëndroni në ambientet e Kuvendit. Seanca do të jetë në orën 22:00”, ka shtuar Haxhiu.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se në orën 22:00 është ftuar seanca e jashtëzakonshme plenare, ku në rend dite do të jetë një pikë e vetme e rendit të ditës – Zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit
Fillon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të votohet për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani sa i përket zgjedhjes së presidentit me votë direkte nga populli.
Pas pak pritet të fillojë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit
Pas pak pritet të fillojë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të votohet për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani sa i përket zgjedhjes së presidentit.
Seanca është thirrur për orën 20:00, por ajo ende nuk ka filluar. Deputetët tashmë kanë nisur të hyjnë në ambientet e kuvendit, derisa edhe stafi i kuvendit është duke i bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e seancës.
Më herët, me 6 vota për dhe 2 kundër Komisioni për Legjislacion i ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe ia ka proceduar ato për votim seancën së Kuvendit.



