spot_img
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
17:58
HomeKulturëSkulptori i Popullit dhe skalitësi i heronjve të historisë, Odhise Paskali

Skulptori i Popullit dhe skalitësi i heronjve të historisë, Odhise Paskali

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Më 22 dhjetor të vitit 1903 lindi Skulptori i Popullit, Odhise Paskali, themelues i Shkollës së Skulpturës Shqiptare.

Më 1919 ai shkoi në Itali, ku kreu liceun dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, me synimin për të studiuar Albanologji pranë Matteo Bartolit, por u mor njëkohësisht edhe me skulpturë.

- Advertisement -

Në 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit. Në Shqipëri, Odhise Paskali mori pjesë në krijimin e shoqërisë “Miqtë e Artit” dhe organizoi ekspozitën e parë kombëtare të “Artit të thjeshtë” (1931). Më 28 nëntor 1932 u përurua në Korçë përmendorja e “Luftëtarit Kombëtar”, një kryevepër e autorit dhe e skulpturës shqiptare. Në portretin e luftëtarit Paskali realizoi një figurë tipike shqiptare, me tipare që do të vërehen më pas në shprehje dhe karaktere të larmishme në shumë vepra të tjera monumentale. Po atë ditë u përurua në Vlorë statuja e “Flamurtarit” mbi varrin e Ismai Qemal Vlorës. Odhise Paskali realizoi gjithashtu shtatoren e Themistokli Gërmenjit, që u përurua në Korçë më 1932, shtatoren e Çerçiz Topullit, përuruar në Gjirokastër në përvjetorin e Përpjekjes së Mashkullorës (1934).

Busti i Skënderbeut, ngritur në Kukës më 1939, është një kryevepër tjetër monumentale, ku format e hiperbolizuara të heroit krijojnë shoqërim përfytyrimesh simbolike.

- Advertisement -

Disa kompozime monumentale, që skulptori i realizoi në vitet `60, kanë një karakter tregimtar (“Shokët”, 1964; Varrezat e Dëshmorëve në Përmet; “Partizani Fitimtar”, 1968, Mathauzen, Austri).

Odhise Paskali bashkë me Andrea Manon dhe Janaq Paçon, realizuan monumentin e Skënderbeut në Tiranë (1968). Me vërtetësi deri në hollësitë, siluetat e japin heroin në një lëvizje parade, me shpatën mbështetur anash dhe kokën energjike të ngritur si luftëtar dhe burrë shteti, raporton atsh.

Skulptura e Odhise Paskalit, përgjithësisht realiste, përçon një frymëzim të thellë patriotik kombëtar, por nuk mbeten jashtë lirizmi dhe përgjithësimi simbolik filozofik. Secili nga krijimet e tij më të mira ka një trajtim të veçantë në përshtatje me psikologjinë, karakterin, mendimin që synon të përçojë, dhe me lëndën me të cilën do të trupëzohet. Paskali është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat