Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet e fundit për ndeshjen e mbrëmjes së sotme kundër Çekisë.
Kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e fundit në stadiumin “Arena Kombëtare”, pas konferencës për shtyp të trajnerit dhe mbrojtësit Arlind Ajeti.
Përveç drejtuesve të lartë të FSHF-së dhe ish-Ministrit të Brendshëm Taulant Balla që nuk kuptohet se me çfarë statusi qëndron deri në fund të stërvitjes së ekipit kombëtar, grupi kishte edhe një tifoz special.
Klaus Gjasula ishte i pranishëm në fillimin e seancës stërvitore. Mesfushori, i cili u tërhoq nga Kombëtarja shqiptare pas Europianit, takoi kështu kuqezinjtë në stadiumin ku do të luhet përballja.
Ai pati edhe një përqafim special me trajnerin Silvinjo. Po ashtu i pranishëm ishte edhe Ermir Lenjani dhe Odise Roshi.
Seanca stërvitore zgjati rreth një orë dhe ekip në fushë provoi disa situata të ndryshme loje dhe vendosje taktike.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi u stërvit i plotë.
Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për ndeshjen kundër Çekisë.
Edhe pse trajneri në konferencë për shtyp u shpreh se ka 2-3 lojtarë me probleme të vogla, nuk priten ndryshime në formacion, kuqezinjtë me shumë mundësi do të luajnë si në Gjeorgji me Strakoshën në portë, Ajeti-Ismajli qendra e mbrojtjes, Mitaj dhe Balliu nga krahët.
Ramadani, Asllani dhe Laçi në mesfushë dhe Asani, Bajrami dhe Tuci përpara.



