Kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet të takohet sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
Takimi mes liderëve të dy partive është paraparë të fillojë në orën 11:00 në Kuvendin e Kosovës.
Vetë Kurti kishte paralajmëruar të premten se nga kjo javë do të nisë takimet me krerët e opozitës për të gjetur një zgjidhje lidhur me këtë proces.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës u ka dhënë ligjvënësve më shumë se një muaj kohë për zgjedhjen e presidentit të ri, pasi më 25 mars rrëzoi dekretin e ish-presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit të zgjedhjes së presidentit në seancën e 5 marsit.
Aktualisht, pozitën e presidentes është duke e ushtruar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.



