spot_img
E hënë, 13 Tetor, 2025
20:39
HomeKosovaDrejtësiaSpecialja rrëzon kërkesën e Prokurorisë që Hashim Thaçit t’i kufizohen vizitat me...

Specialja rrëzon kërkesën e Prokurorisë që Hashim Thaçit t’i kufizohen vizitat me disa persona

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë rrëzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila kërkonte masa shtesë në paraburgimin ndaj Hashim Thaçit, në rastin ku së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria kishte kërkuar disa kufizime lidhur me vizitat e paprivilegjuara të Thaçit, me arsyetimin se ato janë të nevojshme për të mbrojtur procesin nga çdo përpjekje e Thaçit për t’i penguar procedurat e DhSK-së. Konkretisht, ishte kërkuar që të ndalohet vizita e disa personave tek Thaçi.

- Advertisement -

Sipas Prokurorisë, e njëjta kërkesë i është paraqitur edhe gjyqtares së procedurës paraprake në rastikn kundër administrimit të drejtësisë ku ishte kërkuar që t’iu ndalohet vizita tek Thaçi 14 personave- duke përfshirë tre vëllezërit e tij, si dhe Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar.

Kërkesa nuk ishte pranuar që vizitat të ndaloheshin për vëllezërit e Thaçit, por ishte aprovuar për 11 të tjerët.

- Advertisement -

Sipas vendimit të 3 shtatorit 2025, i cili u bë publik më 10 tetor 2025, përveç kësaj, Prokuroria kishte kërkuar që çdo gjë që lidhet me këtë rast ose me rastin kundër administrimit të drejtësisë të ndalohet që të diskutohet gjatë vizitave të paprivilegjuara.

Sipas Prokurorisë, masat e kërkuara nuk janë ndëshkuese, por vendosin kufizime të arsyeshme pasi parandalojnë akte të tjera penguese të Thaçit.

Mbrojtja e Thaçit e kishte kundërshtuar këtë kërkesë të Prokurorisë, duke pretenduar se ndalesa për të diskutuar informacione që janë publike nuk është legjitime.

Sipas mbrojtjes, një kufizim i tillë është i pazbatueshëm dhe pothuajse i pamundur për t’u imponuar.

Ndërsa, sa i përket informacioenve konfidenciale, trupi gjykues ka rikujtuar se në mënyrë të vazhdueshme ua ka ripërsëritur të akuzuarve që ndalohet të diskutojnë ose zbulojnë çdo informacion të klasifikuar si konfidencial përveç me mbrojtjen e tyre.

Sipas trupit gjykues, një masë e tillë nuk ka pse të vendoset pasi tashmë kjo gjë është e ndaluar që nga fillimi.

Ndërsa, duke marrë parasysh faktin se një kërkesë e ngjashme është trajtuar edhe më herët- pra në rastin kundër administrimit të drejtësisë, trupi gjykues ka thënë se nuk do ta trajtojë kërkesën e ZPS-së dhe vlerëson se nuk është e nevojshme që të vendoset ndonjë kusht shtesë që Thaçi të ndalohet që të diskutojë për atë rast, raporton Betimi Për Drejtësi.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat