Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas protestës masive të mbajtur në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të indinjatës së thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike dhe ndaj trajtimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas saj, mbajtja e tyre në paraburgim në Hagë përbën një shkelje të rëndë të standardeve ligjore, ndërkombëtare dhe morale.

Postimi i plotë:
🇦🇱🦅🇽🇰Protesta masive në Prishtinë rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike, si dhe mbështetjen ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët, në kundërshtim me çdo standard ligjor, ndërkombëtar, moral, logjik e njerëzor, po mbahen të mbyllur në hapsanën e Hagës; një akt kundër të drejtës, kundër lirisë, në abuzim me sovranitetin e një shteti të pavarur e demokratik.
Drejtësia nuk mund të përmbyset, viktimat nuk mund të shpallen agresorë dhe agresorët nuk mund të shiten si viktima.



