Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, mëson mediumi storm nga burime të afërta me partinë.
Sipas këtyre burimeve, kreu i AKR-së është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e kandidimit për të parin e Kryeqytetit të Kosovës.
Pacolli, ish-president i Kosovës dhe një nga figurat më të njohura të skenës politike dhe ekonomike në vend, thuhet se synon të rikthehet në jetën institucionale përmes një platforme zhvillimore për kryeqytetin.
Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 12 tetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në të gjitha komunat e vendit. Prishtina, si kryeqyteti i Kosovës, pritet të jetë një nga komunat ku gara do të jetë më e ashpër dhe më e ndjekur nga publiku.
Burimet theksojnë se përgatitjet për fushatë kanë nisur dhe se ekipi i tij tashmë është duke punuar në programin për qeverisjen lokale.
Storm ka tentuar të marr një qëndrim nga vetë Pacolli apo nga AKR, por të njëjtit nuk janë përgjigjur thirrjeve deri në publikimin e këtij lajmi.