spot_img
E martë, 23 Dhjetor, 2025
02:12
HomeKulturëStudiues dhe artistë ndërkombëtarë diskutojnë mbi artin dhe migracionin në Shqipëri

Studiues dhe artistë ndërkombëtarë diskutojnë mbi artin dhe migracionin në Shqipëri

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me organizimin e Qendrës së Studimit të Arteve, u mbajt konferenca ndërkombëtare dyditore “Lëvizje dhe kufij”, duke eksploruar ndikimin e negocimit të tyre në art dhe kulturë në Shqipëri dhe më gjerë.

Nëpërmjet studimeve mbi transformimin e qytetit, u analizuan kufijtë dhe lëvizjet dhe raporti i artit me to, duke filluar nga hapësira urbane lokale, deri në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

- Advertisement -

Akad. Stefan Çapaliku, drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve, tha se konferenca e këtij viti është përqendruar në periudhën që shkon nga viti 1991 deri më sot.

Çapaliku tha se, fundi i periudhës së socializmit shtetëror e ripërcaktoi idenë e kufijve edhe një herë. Në letër, liria e lëvizjes u bë një e drejtë e garantuar për të gjithë, por utopia e kufijve të hapur në fillim të viteve 1990 ishte një përvojë traumatike e imigracionit dhe pati një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e artit post-socialist dhe bashkëkohor shqiptar.

- Advertisement -

Seancën e parë e hapi Franco “Bifo” Berardi, teoricien social, aktivist dhe një nga figurat kyçe në lëvizjen italiane “Autonomia e viteve ’70”, me punimin “Aushvic në breg të detit”, raporton atsh.

Më tej paraqitën punimet shkencore: Sofia Franchini (studente e doktoratës në antropologji sociale në Universitetin e Kembrixhit); Filippo Furri (antropolog, bashkëpunëtor në Institut Convergences Migration, Paris) dhe Ervin Shehu (doktorant në antropologji sociale në Universitetin e Egjeut).

Në ditën e dytë, në sesionin me temën “Drejtësi sociale” prezantuan punimet Silvia Cafora (arkitekte, studiuese në Qendrën e Studimeve Territoriale (CST), Universiteti i Bergamos) dhe Filippo Furri; artisti dhe filozofi Luis Guerra Miranda (Madrid, Spanjë); arkitekti dhe eseisti Skënder Luarasi dhe arkitekti Mehmet Sinan Bermek (Stamboll, Turqi).

Në sesionin me temën “Gjeografi të reja” prezantuan punimet: Dimitra Gkitsa (lektore, Universiteti i Sauthemptonit); Pati Vardhami (kuratore, teoriciene dhe artiste); Niovi Zarampouka-Chatzimanou (kuratore, bashkëdrejtoreshë e Counterpoints Greece dhe themeluese e Pavilion of Imagination) dhe Giuseppe Previtali (profesor asistent në Universitetin e Bergamos).

Në mbyllje të veprimtarisë, dr. Stefano Romano dhe dr. Jonida Gashi bënë analizën e prezantimeve dhe diskutimeve ndërmjetëse të konferencës.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat