Një tjetër lajm i mirë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) vjen nga Gjermania, ku tre oficerë të saj kanë përfunduar me sukses Programin për Studime të Aplikuara të Sigurisë (Program on Applied Security Studies – PASS), në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë George C. Marshall Center, në Garmisch-Partenkirchen.
Në mesin e të diplomuarve janë Nënkolonel Fatlum Demiri, Major Leutrim Hoti dhe Major Gurakuq Haradinaj, të cilët tashmë janë më të përgatitur për t’u përballur me sfidat e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Programi PASS është një nga platformat më prestigjioze pasuniversitare në fushën e studimeve të sigurisë ndërkombëtare, që synon forcimin e aftësive të profesionistëve civilë e ushtarakë për të analizuar dhe adresuar sfidat bashkëkohore të sigurisë, përmes të mësuarit të aplikuar, dialogut strategjik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në këtë edicion kanë marrë pjesë 82 përfaqësues nga 51 shtete të ndryshme të pesë kontinenteve, duke e bërë programin një urë të fortë bashkëpunimi global.
FSK njoftoi se oficerët kosovarë janë dalluar për sukseset e tyre, duke qenë udhëheqës grupesh dhe prezantues kryesorë në seminaret dhe modulet e programit.
Sukses për FSK-në: dy oficerë diplomojnë në Gjermani në fushën e sigurisë
Por, përtej dimensionit profesional, ky sukses bart edhe një emocion të veçantë për publikun kosovar:
Major Gurakuq Haradinaj, njëri nga të diplomuarit, është djali i ish-komandantit të UÇK-së dhe nipi i veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare, Smajl Haradinaj.
Tradita e shërbimit ndaj vendit duket se po vazhdon me krenari në familjen Haradinaj — një familje që për dekada ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje të lirisë, sigurisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Në këtë frymë, edhe Luan Haradinaj, djali i Heroit të Kombit Shkëlzen Haradinaj, është pjesë e FSK-së, duke dëshmuar se amaneti për t’i shërbyer atdheut po vazhdon me dinjitet nga brezi në brez.



