Rreth 70 njerëz janë vrarë në sulmet ajrore izraelite gjatë ditës së kaluar, thanë zyrtarët shëndetësorë në Gaza, pasi fushata e ripërtërirë e Izraelit në veri të rripit, nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi pavarësisht ringjalljes së bisedimeve të armëpushimit pas një ndërprerjeje tre-mujore.
Një person u vra kur një kamion u përplas në një stacion autobusi në Ramat Hasharon, në veri të Tel Aviv, të dielën, në atë që policia izraelite po e trajton si një sulm të dyshuar terrorist.
Rreth 40 persona u plagosën në shkallë të ndryshme, disa rëndë dhe u dërguan në spitalet aty pranë, tha policia.
Grupet militante palestineze Hamas dhe Xhihadi Islamik, lavdëruan sulmin e dyshuar, por nuk e morën përsipër atë.
Gjithashtu të dielën, ushtria izraelite tha se një palestinez u vra pasi u përpoq të godiste me thikë një grup ushtarësh në qytetin Hizma të pushtuar në Bregun Perëndimor.
Informacioni rreth situatës në Gazën veriore është bërë gjithnjë e më sporadik dhe i vështirë për t’u verifikuar pasi sulmi i ri tokësor dhe ajror i Izraelit me fokus në Jabaliya, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, hyn në javën e katërt.
Shërbimet e internetit dhe telefonit janë ndërprerë për orë të tëra dhe punonjësit e mbrojtjes civile nuk kanë mundur të arrijnë në vendet e sulmeve të fundit për shkak të rrethimit gjithnjë e më të fortë të forcave izraelite dhe sulmeve ndaj ekuipazheve të tyre.
Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) u tërhoqën nga spitali Kamal Adwan, një nga vetëm tre që ende operojnë në zonë, të dielën në mëngjes, pasi bastisën kompleksin një ditë më parë. Stafi tha se dhjetëra punëtorë shëndetësorë meshkuj dhe disa pacientë ishin arrestuar.
Numri i të vdekurve nga një sulm ajror izraelit në Beit Lahia të shtunën në mbrëmje u rrit në 40 të dielën, sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa.
Një tjetër sulm në shtëpi në Jabaliya të dielën në mëngjes vrau 20 njerëz dhe 11 të tjerë u vranë në bombardimin e një shkolle të kthyer në strehë në zonën Shati të qytetit të Gazës, tha ministria e shëndetësisë në territorin e kontrolluar më parë nga Hamasi.
Në deklarata, IDF tha se ata kishin “eliminuar mbi 40 terroristë” në Jabaliya dhe ata kundërshtuan numrin e të vdekurve në Beit Lahiya, të cilat ata thanë se nuk ishin në përputhje me “municionet e sakta” të përdorura.
Në një deklaratë të dielën, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e quajti gjendjen e rëndë të civilëve të bllokuar nga luftimet në Gazën veriore “të padurueshme”.
“Sekretari i Përgjithshëm është i tronditur nga nivelet e tmerrshme të vdekjeve, lëndimeve dhe shkatërrimeve në veri, me civilë të bllokuar nën rrënoja, të sëmurë dhe të plagosur që shkojnë pa kujdes shëndetësor dhe familje që u mungon ushqimi dhe strehimi”, tha zyra e tij.



