Suspendohen tre zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës për aktivitet politik
storm•/Policore: – Policia e Kosovës (PK) ka suspenduar tre zyrtarë të lartë policorë, përfshirë një kolonel, një major dhe një rreshter, mbi dyshimet për pjesëmarrje në aktivitete politike, duke shkelur rregulloret dhe ligjet e brendshme të institucionit.
Suspendimi është bërë në bazë të Ligjit të Policisë së Kosovës, i cili ndalon konfliktin e interesit dhe përfshirjen në veprimtari politike, si dhe udhëzimit administrativ për shkeljet dhe procedurat disiplinore. Vendimi u mor pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili ka suspenduar njërin prej zyrtarëve, ndërsa dy të tjerët janë suspenduar nga vetë Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës thekson përkushtimin për të mbajtur rendin dhe sigurinë, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, si dhe për të ruajtur besimin e publikut ndaj institucionit. Në njoftim theksohet se përfshirja e zyrtarëve policorë në aktivitete politike është e papranueshme dhe mund të dëmtojë imazhin dhe integritetin e Policisë, e cila mbetet ndër institucionet më të besuara dhe transparente në vend.
Policia e Kosovës riafirmon angazhimin për ruajtjen e profesionalizmit dhe neutralitetit, duke siguruar një shërbim të drejtë dhe të paanshëm për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.



