Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit 120-të me kodin W00542, në Hagë ka filluar dëshminë Sylejman Selimi i cili mban kodin 04290 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqt.
Ky dëshmitar pohoi se është djali i axhës së Rexhep Selimit dhe sot në Hagë është duke u përfaqësuar nga avokati Artan Qerkini i cili kërkoi garanci për klientin e tij sipas Rregullës 151 të procedurës dhe provave raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Keni garancitë që parashikohen. Do të thotë që nuk do te ndiqeni penalisht. Në qoftë se do të jepni dëshmi, këtë dëshmi do ta keni rastin siç e kemi tani që dëshminë do ta jepni në publik në kuptimin që ju mund të ndiqeni përtej gjykate. Megjithatë, ju e keni të drejtën që dëshminë tuaj ta jepni me dyer të mbyllura që do me thënë do të ulën perdet dhe që askush të mos iu dëgjojë”, tha kryegjyqtari.
Prokurori Matt Halling nuk pati kundërshtime sa i takon garancive që iu ofruan dëshmitarit.
“Mbrojtja që iu jepet përmes garancive është që kjo gjykatë nuk do të iu ndjekë penalisht apo nuk do të nxjerrë asnjë informacion që na e jepni ne për palë të tjera. Megjithatë kur jepni dëshmi në publik, ky informacion që do jepni i takon që i dëgjon i gjithë publiku”, tha kryegjyqtari.
I pyetur se në çfarë forme do të dëshmojë, dëshmitari tha se dëshiron që të dëshmojë në seancë publike.
Më pas, kryegjyqtari e njoftoi atë se pasi iu janë dhënë garancitë dhe në rast që dëshmitari refuzon të dëshmojë kjo do të sanksionohet me vendosjen e një gjobe. Si rrjedhojë, garancitë u miratuan për dëshmitarin.
Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër ditë. Prokuroria ka vlerësuar se i duhen pesë orë për pyetje. Ndërsa, ekipet e mbrojtjes i duhen 14 deri në 16 orë për kundërpyetje.
Dëshmitari i 120-të: Jam i stresuar, do ishte mirë të mos me merrni në pyetje dhe të mos me keqtrajtoni më
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari W00542 iu drejtua prokurorit Cezary Mihailzcuk duke i thënë se edhe tash që është duke dëshmuar është i stresuar dhe do të ishte mirë që të mos e merrnin në pyetje.
Ai shtoi se do ishte mirë që të lirohet dhe të mos keqtrajtohet më nga asnjë gjykatë.
Edhe tash që jam këtu jam i stresuar. Do të ishte më mirë që të më lironi e mos të më bëni pyetje më për të dhe të mos thirrem më nga asnjë gjykatë dhe të mos me keqtrajtoni më”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht ai mohoi se gjatë kohës që është mbajtur i ndaluar iu është komunikuar ndonjë akuzë.
Ndërsa, për të afërmin e tij dëshmitari tha se nuk e di se a ishte informuar për ndonjë akuzë pasi sipas tij ai nuk ia kishte thënë asnjëherë.
“Nuk e di. Ai vdiq ndërkohë kështu që nuk e di”, tha ai.
Ai shtoi se i afërmi i tij nuk ia tha asnjëherë nëse ka pasur ndonjë akuzë ndaj tij pasi sipas tij ai nuk ka dashur që të flas për këtë rast.
“Jo asnjëherë. Nuk deshi që të flisnim për këtë rast që të mos stresohesha, shqetësohesha unë. Prandaj, ne nuk flisnim për këtë çështje”, tha dëshmitari.
Dëshmitari mohoi se iu dha ndonjë shpjegim se pse u ndalua, por tregoi se për shkak të ndalimit ka pasoja shëndetësore.
“Kam probleme shëndetësore të shumta. Nuk e di- Çka s’kam si probleme. Nuk e di se çka të iu them sinqerisht. Edhe tash që jam këtu jam i stresuar. Do të ishte më mirë që të më lironi e mos të më bëni pyetje më për të dhe të mos thirrem më nga asnjë gjykatë dhe të mos me keqtrajtoni më”, tha dëshmitari.
Si rrjedhojë, prokurori lexoi shënimin përgatitor ku tregoi për pasojat shëndetësore që sipas tyre i janë shkaktuar dëshmitarit gjatë ndalimit dhe keqtrajtimit. Ato i pohoi edhe dëshmitari kur u pyet se a është e vërtetë.
Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit Cezary Mihailzcuk. Ndërsa, mbrojtësi i viktimave tha se nuk e përfaqëson atë dhe se nuk ka pyetje. Kunderpyetjet në seancë private i vazhdoi mbrojtja e Hashim Thacit e përfaqësuar nga avokatja Nina Tavakoli.
ZPS për dëshmitarin e 120-të: Së bashku me të afërmin e tij u rrëmbye dhe u keqtrajtua nga persona me emblema të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 120-të ZPS-së i cili mban kodin W00542 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është më masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar përmes videolidhjes. Pyetjet për atë i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Cezary Mihailzcuk, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në qershor të 1999-ës, dëshmitari 00542 dhe një i afërm i tij, u rrëmbyen nga persona të armatosur që kishin uniforma me emblema të UÇK-së të cilët i dërguan në një vend ku i mbajtën të ndaluar dhe i morën në pyetje dhe i keqtrajtuan. Gjatë kohës që ishte i ndaluar 00542 u mor në pyetje nga një komandant në atë vend. 00542 pa me sytë e tij se si janë keqtrajtuar të ndaluar të tjerë që mbaheshin atje. Dëshmitari 00542 u lirua pas disa ditësh”, tha prokurori Mihailzcuk.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjas tri orë. Nga kjo kohë, Prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth 45 minuta për pyetje ndërsa ekipet e mbrojtjes të gjitha se bashku kanë parashtruar se i duhen dy orë për kundërpyetjet e tyre.
Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.