Takimi i tensionuar Trump-Zelensky rrezikon mbështetjen amerikane për Ukrainën
storm•/Gjeopolitikë: Lideri ukrainas udhëtoi drejt Uashingtonit për të parandaluar që Donald Trump ta braktiste Kievin në favor të Moskës, por u përball me zemërimin e hapur të presidentit amerikan.
Presidenti Trump e sulmoi ashpër Volodymyr Zelenskyn në Zyrën Ovale të premten, duke kërkuar respekt dhe mirënjohje nga lideri ukrainas në një përplasje të ashpër që mund të përcaktojë të ardhmen e Evropës—luftë apo paqe.
Përplasja verbale, ku Trump, Zelensky dhe nënpresidenti JD Vance ngritën zërin mbi njëri-tjetrin, ishte një shkelje e rrallë e protokollit në Zyrën Ovale, ku zakonisht edhe debatet më të ashpra zhvillohen me gjuhë diplomatike.
Në këtë takim, Trump i bëri të qartë Zelenskyt se ai nuk ishte në pozitë për të kërkuar favore nga SHBA-ja dhe paralajmëroi se negociatat mund të dështojnë nëse nuk ndryshon qëndrim. Pasi situata u tensionua, Trump urdhëroi dëbimin e Zelenskyt nga Shtëpia e Bardhë dhe la të kuptohet se mund të ndërpriste ndihmën amerikane për Ukrainën.
Takimi u zhvillua në një moment kur Trump duket se po bën një kthesë strategjike drejt një afrimi me Moskën, duke sfiduar qëndrimin tradicional të Uashingtonit kundër agresionit rus. Zelensky kishte shkuar në Uashington për të finalizuar një marrëveshje që do t’i jepte SHBA-së qasje të kufizuar në burimet natyrore të Ukrainës, si një përpjekje për të siguruar më shumë mbështetje për mbrojtjen e vendit. Por takimi përfundoi pa asnjë marrëveshje dhe me një krizë të re diplomatike.
Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Trump postoi në rrjetet sociale: “Zelensky nuk është i gatshëm për paqe nëse Amerika është e përfshirë, sepse ai mendon se kjo i jep një avantazh. Unë nuk dua avantazh, unë dua PAQE.”
Kjo përballje, e cila mund të ketë pasoja të rënda për Ukrainën, u ndoq me shqetësim në kohë reale nga liderët evropianë. Diplomatë të lartë në Bruksel u shprehën se Zelensky duhet të përpiqet të riparojë marrëdhëniet me Trump sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa të tjerë e panë këtë si konfirmimin përfundimtar se Evropa nuk mund të llogarisë më te SHBA si aleate.
Përplasja arriti kulmin kur Vance kritikoi administratën Biden dhe sugjeroi se diplomacia ishte e nevojshme për të ndalur luftën, ndërsa Zelensky theksoi agresionin e Putinit dhe i kërkoi Vance-it të vizitonte Ukrainën para se të jepte gjykime.
Diskutimi u përshkallëzua më tej kur Trump shpërtheu kundër Zelenskyt, duke e akuzuar atë se po luante me jetën e miliona njerëzve dhe se ishte në një pozitë të dobët. “Ti nuk ke kartat në dorë tani. Me ne, fillon t’i kesh,” i tha ai Zelenskyt me një ton të prerë.
Takimi përfundoi pa një konferencë për shtyp dhe me Zelenskyn që u largua nga Shtëpia e Bardhë në heshtje. Më vonë, ai postoi në X (Twitter) një mesazh të kujdesshëm falënderimi për SHBA, duke shmangur komentet për përplasjen me Trump.
Analistët e sigurisë dhe ekspertët e politikës ndërkombëtare e cilësuan këtë një humbje të madhe për Ukrainën dhe një fitore të Moskës. “Trump i dha kokën e Zelenskyt në pjatë Putinit,” komentoi Sergey Radchenko, ekspert i politikës ruse.
Tani, fati i Ukrainës dhe i mbështetjes amerikane mbetet i pasigurt, ndërsa Trump sinjalizon një kurs të ri që mund të ndryshojë balancat gjeopolitike në Evropë dhe më gjerë.
storm• + WP