Dialogu Kosovë-Serbi do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe këtë njoftim ia ka bërë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen që e priti në takim njoftues.
Siç bëhet e ditur në këtë takim është diskutuar për momentumin aktual që ndodhet dialogu, derisa thuhet se u shkëmbyen edhe pikëpamjet mbi qasjen e nevojshme në këtë proces.
“Konjufca e informoi z. Sørensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.
Konjufca ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.



